Baca dhe partizanët

Kushedi sa rrugë ka me emra partizanësh, të cilët shqiptarët i mbajnë mend për të keq, por Adem Demaçi nuk është një emër që maqedonasit ta mbajnë mend si të tillë


Nga Daut DAUTI

Baca ka ardhur shumë herë, pa numër herë, në Shkup. Kurrë nuk ka qenë i huaj…(kështu do të këndonte edhe Dino Merlin për shqiptarët në atë këngën e tij të famshme). Vinte për miqtë e tij. Për Hilmi Toskën, si tha kryeministri i Kosovës gjatë përurimit të rrugës, ku e ka pasur derën çelë. Por edhe më shumë për Hilmi Shehin, mikun e tij nga burgu, të cilin e quante Mësues, sepse kur e kishte takuar në burg, ashtu e kishin quajtur, pasi mësues kishte qenë para se të binte në hapsane, që nga ato shkollat e famshme të Ernest Koliqit, e gjer në dy vitet e para pas çlirimit. Vinte Baca Adem (Demaçi) pasi doli nga burgu shpesh në Shkup, kurse te Hilmi (Shehi) Mësuesi në lagjen e Veriut, e kam takuar edhe unë disa herë. Ka qenë edhe në shtëpinë tonë, kur vinte për konsultime me vëllain për botimin e librit të tij maqedonisht.

Por fakti që atë këto ditë e trajtuan media dhe qarqe të caktuara politike si të huaj, është çështje percepcioni. Një recidiv mentaliteti i atyre kohëve të çuditshme, kur komunistët e Maqedonisë i ndiqnin në hap kolegët e tyre serbë, të cilët kishin motivet e tyre nacionaliste e shoviniste ndaj Kosovës. Atëherë gazetat dhe radiotelevizionet e Maqedonisë bile shkonin disa hapa para, për të dëshmuar devotshmërinë në fushatën iracionale ndaj gjithçkaje që lidhej me Kosovën. Fushata të njëjta bëheshin edhe këtu, bile më origjinale se në Serbi. Ndaj kishte gjykime, diferencime, intelektualë futeshin në burgje, mbeteshin në rrugë pa punë.

Ku të dish, nuk ishte vetëm çështje ideologjie, ndoshta çështje vetëdijeje se shqiptarët njësoj si e “rrezikonin” Serbinë, të tillë ishin edhe për Maqedoninë. Indoktrinimi nga nivele partiake emediale, kishte zbritur në kokat e njerëzve të rëndomtë. Pastaj, çuditërisht, edhe ardhja e demokracisë u shënua me një diversion antishqiptarizmi.

Partia “më maqedonase”, VMRO-DPMNE, lindi pikërisht në këtë rrezik: promovoi veten duke i shpallur 150 mijë shqiptarë si të huaj, ardhacakë nga Kosova me qëllime ekspanzioniste, që rrezikojnë qenien maqedonase. Pra, në vend se demokracia të sillte një raport të ri maqedonas-shqiptar, një lloj çlirimi nga frustrimet e imponuara artificialisht, lindën parti që e vazhduan aty ku e la LK-ja. Pastaj erdhi dhe 2001-sha dhe përsëri narrativi i rrezikut nga Kosova, ndonëse kësaj radhe me pak më shumë të drejtë, pasi vërtet pati kosovarë që ndihmuan bashkëkombësit e tyre në rebelimit ndaj mosndryshimit të pozitës së tyre për dhjetë vite me radhë(ishte një kthim borxhi vëllazëror). Dikush do ta marrë rastin e Lagjes së Trimave në Kumanovë si dëshmi se si rreziku nga Kosova është real edhe sot, por ky rast është i mbështjellë me aq mjegullnajë, saqë më mirë të mos i hyhet, sepse ka shumë pikëpyetje, kushedi a ka lidhje me Kosovën…

Kjo ishte një pjesë e historisë më të re, kur dikush i mendon shqiptarët si të huaj, ose ardhacakë. Por, historia më e hershme, i bën edhe më të pranishëm, me një kontinuitet edhe etnik edhe gjeografik, ndaj gjithë ajo mendësi që kosovarin e trajtojnë si mish të egër, janë pjesë e nebulozave, si kombinim i manipulimeve politike dhe kuazishkencore, në emër të një fiksimi të rremë të motos “Maqedonia e maqedonasve”, që para një shekulli kishte pasur tjetër konotacion.

Fakti që Albini i përzieu dy Hilmi-at, s’ka rëndësi, i përket atij ose këshilltarëve të tij që ia kanë përgatitur fjalimin, mund të mos i ketë njohur asnjërin, por vetëm të ketë dëgjuar, duke mos ditur se të dytë mund t’ia kishin hapur derën e Bacës. Njëri për shkak të viteve burg bashkë. Me rëndësi, ai në Shkup ka ardhur pa teklif.

Baca Adem është i njohur për çdo shqiptar anekënd botës, por nuk është i panjohur as për maqedonasit. Lexuesi maqedonas para nja njëzet vjetësh ka pasur në dorë veprën e tij të përkthyer “Libri për Vetmohimin”. Mirë e kujtoi botuesi i saj, rastësisht vëllai im, se fjalë në superlativë në atë kohë kishte folur për veprën dhe jetën e Bacit, edhe një Lubisha Georgievski, regjisor teatri e filmi, intelektual i kalibrit të lartë. Pra, me asnjë veprim të Bacit nuk është cenuar asnjëherë një interes maqedonas. Ai gjithë shpirtin dhe vuxhutin e tij e ka shkrirë të drejtat e popullit të vet dhe si i tillë duhet çmuar… Me çmimin Saharov që iu nda pas daljes nga burgu, vetëm vërteton profilin liridashës të tij.

Por ka diçka që emri i rrugës me emrin e tij sadopak e vë në një betejë me historinë. Rruga më parë ka mbajtur emrin Brigada e Dytë Maqedonase. Nga aspekti formal juridik, me sa di, vendimi është marrë në një rrugë legale dhe këtu nuk ka gjë kontestuese.

Megjithëkëtë, fakti se është hequr një rrugë me një emër brigade partizane, nuk është për nënçmim. Kjo e bën të përshtatshëm rastin edhe për manipulim. Dhe e fut Bacin në një përplasje interesash etnike. Sepse, Maqedonia ka lindur falë kësaj lëvizjeje partizane. Thelbi i çështjes është se emri i tij është vënë në një rrugë të Komunës së Çairit, ku shumica e banorëve janë shqiptarë, kurse shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore janë gjetur në sandviç të shumë zjarreve. Është fakt se edhe shqiptarët kanë marrë kanë marrë pjesë në çetat partizane, sepse u kanë besuar thirrjeve për luftë që do t’u sjellë barazi. Kanë luftuar edhe në formacione tjera. Edhe të parët, edhe të dytët kanë besuar se lufta e tyre do t’u sjellë mirë shqiptarëve. Mirëpo, shqiptarët pas luftës, nën pushtetin e atyre që organizuan luftën partizane, pësuan zhgënjim të madh. Disa zhgënjime i përjetuan që gjatë luftës, kur disa brigada partizane bën masakra, si ajo në fshatin Bllacë(170 civilë të pafajshëm të vrarë pa gjyq!), ose organizuan likuidimet në Monopolin e Tetovës(qindra, e dikush thotë edhe më shumë), kurse raste sporadike ka pasur gjithandej.

Pra, nuk mund të thuhet se shqiptarët ekzaltohen aq kur të përmenden partizanët ose komunistët.(Për hir të së vërtetës, edhe shumë maqedonas me orientim tjetër, e kanë pësuar nga regjimi komunist).Përkundër të gjitha kontraverzave për ngjarjet dhe figurat, Maqedonia është përplot emra komunistësh e aradhesh partizane. Ka dhjetëra komuna më shumicë etnike tjetër nga Çairi, ku mund të vihen emra që i kanë më për së afërmi, që nga etnia, feja ose ideologjia. Nëse një brigadë mund t’u asocojë shqiptarëve në gjërat që u përmendën më sipër(për Brigadën e Dytë Maqedonase, me sa di, nuk janë të lidhura operacione në territoret me shumicë shqiptare, përveçse në çlirimin e Kërçovës ). Por kjo nuk e zbeh kujtimin e hidhur se ç’kanë bërë partizanët dhe komunistët më vonë, që kanë organizuar një nga shpërnguljet më masive të shqiptarëve për Turqi. Shpërnguljen e ka ideuar dikush tjetër, por është realizuar pikërisht përmes Shkupit. Fakt. Kështu që, në këtë pikë publiku maqedonas sado i shokuar, disa gjëra duhet t’i dijë. Kur janë detabuizuar shumë ngjarje e personalitete, duhet të kuptojnë edhe këtë lloj ndjeshmërie, që u duket se ka ndodhur te shqiptarët… Është e vërtetë se këtu gjërat edhe mund të kenë konotacion paralelizmi për ngjarjet, por kësaj nuk mund t’i ikësh gjithnjë. Kushedi sa rrugë ka me emra partizanësh, të cilët shqiptarët i mbajnë mend për të keq, por Adem Demaçi nuk është një emër që maqedonasit ta mbajnë mend për të keq.

Ke rrugë të Kërlezhës e Andriqit, Korçaginit e Maksim Gorkit, e shkrimtarësh të huaj ke plot, që ndoshta Maqedoninë nuk e lidh më me asgjë meta, por janë pjesë një konteksti më të gjerë. Përse të jetë Demaçi “dele e zezë”?

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)