Qasja e pronarit të Twitter, Elon Musk për të refuzuar çdo formë censurimi dhe për të mbrojtur lirinë e shprehjes në rrjetin social, ka marrë një mbështetje mjaft të papritur nga talebanët.


Anas Haqqani, një udhëheqës i lartë i talebanëve në pushtet në Afganistan, tha të hënën se Twitter ka “dy avantazhe të mëdha” ndaj platformave të tjera, disa ditë pasi Meta lançoi platformën e saj të re të mediave sociale, Threads, e cila synon të konkurrojë me Twitter.

“Avantazhi i parë është liria e shprehjes. E dyta është karakteri publik dhe besueshmëria e Twitter”, shkroi ai në Twitter. Ai shtoi se “Twitter nuk ka politikën e tolerancës zero që ka Meta. Platformat e tjera nuk mund ta zëvendësojnë atë”, shtoi ai.

Megjithatë, shumë vunë re se qeveria talebane nuk u lejon të njëjtat të drejta për sa i përket lirisë së shprehjes për qytetarët e saj.

Aktiviteti i mediave sociale të afganëve monitorohet nga afër nga autoritetet dhe shumë njerëz janë arrestuar për kritika ndaj qeverisë.

Që nga kthimi në pushtet në gusht 2021, talebanët kanë rritur ndjeshëm praninë e tyre në mediat sociale. Por shumë nga llogaritë e tyre, ose ato të mbështetësve të tyre, u bllokuan, pothuajse sapo u krijuan.

Qeveria talebane përdor tani Twitter-in për të publikuar njoftimet e saj më të rëndësishme dhe shumica e ministrive kanë llogari zyrtare, megjithëse asnjëra nuk duket se ka paguar për shenjën blu pasi Twitter ndryshoi sistemin e tij të vërtetimit të llogarisë në fillim të këtij viti.

Meta, kompania që zotëron Facebook, Instagram ose WhatsApp, mbylli të gjitha llogaritë që lidhen me talebanët.

Vitin e kaluar, Facebook mbylli faqet e RTA, Radios dhe Televizionit shtetëror të Afganistanit dhe Agjencisë së Lajmeve Bakhtar, Facebook e justifikoi vendimin e tij duke thënë se ishte në përputhje me ligjin amerikan që përcaktonte talebanët një “organizatë terroriste”.

Musk, i cili bleu Twitter-in vitin e kaluar, ka rikthyer dhjetëra mijëra llogari të bllokuara, përfshirë atë të ish-presidentit amerikan Donald Trump.

Disa nga ato llogari që u ndaluan nga administrata e mëparshme e Twitter u përkisnin përkrahësve të teorive të konspiracionit, anti-vaksinimit, keqinformimit, ngacmimit dhe gjuhës së urrejtjes.

Anas Haqqani, vëllai i ministrit të brendshëm afgan, Shirazuddin Haqqani, është një nga fytyrat e reja të lëvizjes talebane. Me mbi 500,000 ndjekës në Twitter, ai poston – shpesh në anglisht – për një sërë temash, nga kriket te poezia, apo politika kombëtare apo ndërkombëtare.