Turqia dëshiron të ndërtojë dy termocentrale të tjera bërthamore në territorin e saj dhe po i negocion këto projekte me Rusinë, Kinën dhe Korenë e Jugut, tha ministri turk i Energjisë Alparslan Bayraktar.


Ankaraja planifikon të ketë një termocentral në provincën e Sinopit dhe tjetrin në Traki, raporton Tass.

“Deri në vitin 2050, Turqia do të prodhojë më shumë se 20,000 megavat energji bërthamore, që është pothuajse katërfishi i prodhimit të termocentralit bërthamor Akkuyu,” tha Bayraktar.

Ai saktësoi se disa termocentrale bërthamore do të jenë të mëdha – si ato në Sinop dhe Traki, ndërsa Ankaraja do të marrë energji edhe nga reaktorët e vegjël modularë.

“Sa i përket reaktorëve, ne bashkëpunojmë ngushtë me Britaninë e Madhe dhe SHBA-në dhe mund t’i prodhojmë edhe me ata”, tha Bayraktar.

Ministri vlerësoi punën e vazhdueshme për ndërtimin e termocentralit bërthamor Akkuyu, i cili po ndërtohet nga Rusia në territorin e Turqisë.

“Akkuyu është kantieri më i madh bërthamor në botë, me katër reaktorë që ndërtohen njëkohësisht. Vitin e ardhshëm do të fillojmë të prodhojmë energji nga ky termocentral”, përfundoi Bayraktar.