Të paktën 300 persona që po udhëtonin me tre varka emigrantësh nga Senegali në Ishujt Kanarie të Spanjës janë zhdukur, tha të dielën grupi i ndihmës për migrantët Walking Borders.


Dy varka, njëra me rreth 65 persona dhe tjetra me nga 50 deri në 60 në bord, janë zhdukur para 15 ditësh që kur u larguan nga Senegali në përpjekje për të arritur në Spanjë, tha Helena Maleno nga Walking Borders për Reuters.

Një varkë e tretë u nis nga Senegali më 27 qershor me rreth 200 njerëz në bord.
Familjet e atyre në bord nuk kanë dëgjuar prej tyre që kur janë larguar, thaMaleno.

Të tre varkat u nisën nga Kafountine në jug të Senegalit, i cili është rreth 1,700 kilometra nga Tenerife, një nga Ishujt Kanarie.

“Familjet janë shumë të shqetësuara. Ka rreth 300 njerëz nga e njëjta zonë e Senegalit. Ata janë larguar për shkak të paqëndrueshmërisë në Senegal,” tha Maleno.

Ishujt Kanarie në brigjet e Afrikës Perëndimore janë bërë destinacioni kryesor për emigrantët që përpiqen të arrijnë në Spanjë. Vera është periudha më e ngarkuar për të gjitha përpjekjet për kalime.