Nga: Destan JONUZI


Saga e pasardhësit të Nikolla Gruveskit, liderit aktual të opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, një herë për të rrëzuar qeverinë, e një herë për t’u bërë pjesë e saj, filloi në nëntor 2020. Ai kërkoi dorëheqjen e kryeministrit të atëhershëm Zoran Zaev dhe formimin e një Qeverie të zgjeruar. Zaev u tërhoq nga politika, kurse Mickoski sërish mbeti opozitar i pasuksesshëm dhe i papërgjegjshëm ndaj interesave shtetërore.

Një vit më vonë, në nëntor 2021, Mickoski shpalli shumicën e re parlamentare dhe largimin e LSDM-së nga pushteti, por matematika për një shumicë të re parlamentare ishte më pak se 61 deputetë.

Ai pastaj bëri thirrje për një Qeveri të zgjeruar, por kësaj radhe pa BDI-në në të. Kërkesë kjo e cila u pranua nga partitë e shumicës parlamentare. Por, Mickoski shpejt hoqi dorë. Ai dhe partia e tij sërish refuzojnë të marrin përgjegjësi për interesat strategjike të shtetit, duke u tërhequr nga votimi për amendamentet e nevojshme kushtetuese, në mënyrë që Maqedonia e Veriut të vazhdojë pa pengesa në rrugën e saj drejt BE-së. Ndonëse fillimisht pranoi të votojë për amendamentet kushtetuese, me pranimin e të gjitha kushteve të tij nga partnerët e koalicionit qeveritar LSDM, BDI, ASH, ai sërish u tërhoq duke avokuar për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Së fundmi VMRO DPMNE në krye me Mickoskin ka deklaruar se po ndërpret komunikimin me pushtetin, dhe se e vetmja temë që mund të diskutojë me qeverinë, siç ka thënë ai, janë zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndonëse ato të rregullta do të mbahen vitin e ardhshëm.
Komenti më epik për këtë vendim të Mickoskit ka qenë i kolegut, gazetarit, Zoran Ivanov.

“Mirë e prishi me Uashingtonin e Brukselin, pra çfarë, BRAVO, kështu duhet, ne jemi maqedonas, Budapesti – Paljurskit biblik ose jemi kollë mace, vetëm përpara DPMNE, Sofja po kërcen nga gëzimi!!!”.

Mickoski është më shumë i shqetësuar për të lënë përshtypjen e një patrioti “të madh” duke manipuluar emocionet e ndjekësve të tij. Dëshira e tij dërrmuese për të qenë kryeministër orë pas ore e lë në hije përgjegjësinë e tij për të ardhmen evropiane të vendit. Prandaj, ai nuk është konsistent kur dhe si të bëhet pjesë e qeverisë dhe kur i ofrohen oferta jashtëzakonisht xhentëlmenësh nga kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe lideri i BDI-së – Ali Ahmeti, duke i’a pranuar kërkesat e tij si kushte të vendosura.

Kërkesa për ndryshime kushtetuese me efekt të vonuar nuk varet nga kryeministri Kovaçevski, por nga BE. Nëse është i sinqertë për një kërkesë të tillë, le të bëhet Mickoski pjesë e Qeverisë dhe bashkë me palët e tjera të interesit, pa BDI sipas kërkesës së tij, le të tentojë para BE-së të kërkojë ndryshime kushtetuese me efekt të vonuar.

Mickoskit i ka mbetur edhe pak kohë për t’u rikthyer në realitet, përndryshe do të sjellë si partinë ashtu edhe shtetin në një aventurë të paparashikueshme. Është koha t’u themi JO insajderëve, publicistëve dhe intelektualëve të ndryshëm që me vetëdije apo pa vetëdije janë propagandues të agjendave që janë në favor të atyre që janë kundër anëtarësimit të vendit tonë në BE.

Kundërshtimi i amendamenteve kushtetuese dhe në këtë mënyrë pengimi i rrugës së Maqedonisë së Veriut drejt BE-së, mund të izolojë VMRO-DPMNE-në si subjekt politik. Po ashtu, injorimi i thirrjeve të faktorit ndërkombëtar për kompromis mes opozitës dhe pushtetit për çështjen e integrimit të shtetit, mund të ketë pasoja edhe më të rënda për VMRO-DPMNE-në dhe Mickoskin.

Në fakt, ndryshimet kushtetuese janë pjesë e negociatave që duhet të fillojnë, nuk janë pjesë e kornizës, por janë parakusht për fillimin e kornizës së negociatave. Nga ana tjetër, korniza e negociatave është një çështje thjesht evropiane. Shqiptarët këmbëngulin me këmbëngulje se edhe maqedonasit duhet të binden se pas anëtarësimit në NATO duhet të realizohet edhe përcaktimi tjetër strategjik që Maqedonia e Veriut të jetë pjesë e BE-së. Tani duhet të marrë fund promovimi deklarativ i orientimit properëndimor, është koha për të promovuar vlerat euroatlantike.

Shqiptarët e dinë më së miri se çfarë do të thotë të injorosh gjuhën dhe identitetin tënd, prandaj solidarizohen me maqedonasit, edhe pse në periudha të caktuara struktura të ndryshme maqedonase nuk ishin miqësore me shqiptarët.