RMV-ja do të mund t’i shfrytëzojë 100 milionë eurot e BE-së për reforma dhe stabilitet ekonomik

Vendimi i BE-së për të ofruar ndihmë makrofinanciare për Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV) në shumën deri në 100 milionë euro për të përballuar pasojat e shkaktuara nga agresioni rus kundër Ukrainës, ka hyrë në fuqi, pasi u publikua zyrtarisht sot në “Gazetën Zyrtare” të Bashkimit Evropian.


Vendimi, të cilin Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme (GAC) të BE-së e miratoi unanimisht të hënën e kaluar, u nënshkrua nga Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Mezzola, dhe nga Sekretari Spanjoll i Shtetit për Bashkimin Evropian, Pascal Navarro Rios, në emër të Presidentit të Këshillit të BE-së Charles Michel.

Në dokumentin e BE-së thuhet se ekonomia e Maqedonisë është prekur ndjeshëm nga recesioni i shkaktuar nga pandemia dhe kriza energjetike për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës dhe varësisë së madhe të vendit nga importi i karburanteve dhe energjisë elektrike.

Vendimi, i cili u miratua nga Komisioni Evropian më 6 shkurt të këtij viti, ishte miratuar më parë nga Parlamenti Evropian më 13 qershor.

Ndihma makrofinanciare e BE-së vjen pas programit dyvjeçar të mbështetjes të lidhur me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) në vlerë deri në 530 milionë euro dhe do të kontribuojë në mbulimin e nevojave financiare të Maqedonisë së Veriut për vitin 2023 dhe 2024 që janë identifikuar në programin e FMN-së.

Një parakusht për miratimin e ndihmës makro-financiare është që Maqedonia e Veriut të respektojë mekanizmat demokratikë, duke përfshirë sistemin parlamentar shumëpartiak dhe sundimin e ligjit, dhe të garantojë respektimin e të drejtave të njeriut.