Laureati i titullit Doktor Nderi i Shkencave (Doctor Honoris Causa) i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Arsim Bajrami, më 6 korrik 2023, i shoqëruar edhe nga profesori Zemri Elezi, e vizituan Universitetin e Tetovës, ku u pritën në një takim miqësor nga Rektori i UT-së, Prof. Dr. Jusuf Zejneli.


Fillimisht Prof. Dr. Arsim Bajrami e uroi Rektorin Prof. Dr. Jusuf Zejneli për zgjedhjen e tij Rektor i Universitetit të Tetovës. Ai u shpreh se, duke e njohur profilin e Prof. Dr. Jusuf Zejnelit jam shumë i sigurt se ai me vizionin e tij do ta çojë përpara ketë institucion publik akademik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut . “Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli ka të gjitha meritat e tij për çdo kontribut që ka dhënë, që nga viti 1994 në Universitetin e Tetovës, si student, kryetari i Unionit studentor, asistent, profesor, më pas një periudhë prodekan për Arsim dhe Dekan i Fakultetit Juridik. Në të gjitha këto pozita ka qenë i dëshmuar dhe poashtu si një ekspert dhe udhëheqës i shquar me pozitivetin e tij dhe dashurinë që ka ndaj vet universitetit, studentëve dhe bashkëpunëtorëve të tij besoj se do të vazhdojë të menaxhojë siç është më së miri me Universitetin e Tetovës, duke e integruar atë edhe më shumë në hapësirat evropiane dhe jo vetëm, si dhe do të punojë fuqishëm që Universitetin e Tetovës ta bëjë një universitet me të gjitha standardet të cilat i posedojnë shumë universitete me renome ndërkombëtare”, tha Prof. Dr. Arsim Bajrami.

Ndërsa Rektori i UT-së, Prof. Dr. Jusuf Zejneli e falënderoi Prof. Dr. Arsim Bajramin për gjithë mbështetjen që i ka dhënë atij që nga periudha e studimeve e deri më tani. Ai më tej tha se, kontributi i Prof. Dr. Arsim Bajramit është i jashtëzakonshëm dhe ka qenë model për ne studentët e tij, që edhe ne me mundësitë tona të kontribuojmë për të mirën e përgjithshme të shoqërisë sonë dhe për kauzën kombëtare në veçanti.

Universiteti i Tetovës, në vitin 2016, Prof. Dr. Arsim Bajrami e laureoi me titullin DOCTOR HONORIS CAUSA për kontributin e tij të çmuar arsimor dhe shkencor që në ditët e para të themelimit të Universitetit të Tetovës; për angazhimin e tij permanent në avancimin e shkencave juridike; për mbështetjen e pakursyer të stafit akademik dhe studentëve të shkencave juridike të Universitetit të Tetovës; si dhe mbështetjen institucionale në cilësi të ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës, për Universitetin e Tetovës dhe arsimin në gjuhën shqipe në Republikën e Maqedonisë.

Prof. Dr. Arsim Bajrami është një nga hartuesit e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe ka dhënë kontribut të çmuar edhe në shumë marrëveshje ndërkombëtare që kanë të bëjnë me politikën e jashtme, siç njihet edhe për kontributin e tij në zhvillimin e arsimit të lartë në Kosovë. Ai po ashtu ka qenë edhe bartës i shumë funksioneve publike si, Ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Rektor i Universitetit të Prishtinës etj.