“Presidenti serb doli dhelpër”/ Kurti intervistë për gazetën kroate: Sanksionet ndaj Kosovës vendim i gabuar. SHBA dhe BE e falën Vuçiçin!

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në një intervistë për gazetën kroate ‘Veçernji List’ ka folur për zhvillimet e fundit dhe tensionet Veri të Kosovës. Kurti nuk i kursyer kritikat ndaj SHBA dhe BE-së në raport me Serbinë.


Ai e ka quajtur të padrejtë vendimin për të vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës, ndërsa ndaj Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç u mbajt një qëndrim më i butë.

“Brukseli dhe Uashingtoni kanë vënë bast për kalin e gabuar në Serbi, në presidentin e atjeshëm. Në fund doli që nuk ishte fare kalë, por dhelpër. Askush as nuk e ka imagjinuar që një vit e pesë muaj pas agresionit rus në Ukrainë, Serbia nuk do të vendosë sanksione ndaj Moskës, por madje do të lejonte që Sputniku të mbante bazën rajonale në Beograd. Në vend të reflektimit dhe introspeksionit të tyre, ata më godasin mua. Brukseli dhe Uashingtoni e lejuan Vuçiçin që të mos e nënshkruante marrëveshjen nga Brukseli dhe Ohri, pastaj që ta shkelte atë marrëveshje dhe ja ku jemi në një situatë në të cilën ekziston asimetri drastike në qasje. Masa ndëshkuese ndaj meje, dhe nga ana tjetër falje për presidentin Vuçiç. Kjo është një padrejtësi”, ka thënë ndër të tjera Kurti.