Lufta në Ukrainë ka detyruar shumë vende në Evropë t’i hedhin një vështrim tjetër mbrojtjes së tyre.


Gjermania është ndoshta shembulli më i njohur. Vendi është zotuar të shpenzojë shumë më tepër për ushtrinë, pasi është mbështetur kryesisht tek SHBA dhe NATO që nga Lufta e Dytë Botërore. Mirëpo krahas saj edhe Polonia po ndërmerr tashmë hapa për të mbrojtur veten.

Vendi ka nënshkruar një kontratë për të blerë dy aeroplanë suedezë të paralajmërimit të hershëm dhe kontrollues Saab 340 AEW-300 për një shumë rreth 57.81 milionë dollarë, tha sot ministri polak i mbrojtjes.

“Falë kësaj, krahu lindor i NATO-s do të forcohet dhe hapësira ajrore polake do të bëhet më e sigurt”, tha Mariusz Blaszczak në Twitter.

Polonia planifikon të shpenzojë rreth 4% të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen këtë vit për të modernizuar forcat e armatosura. Sistemet e paralajmërimit të hershëm përfshijnë avionin Saab 340 të pajisur me radarin e avancuar Erieye të Saab.

Kontrata përfshin gjithashtu pajisje tokësore, shërbime logjistike dhe mbështetëse brenda vendit, tha kompania në një deklaratë.