Në dy javët e ardhshme, iniciativa për ndryshimet kushtetuese do të dorëzohet në Kuvend, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski, por pa specifikuar nëse është siguruar shumica e nevojshme prej dy të tretash e opozitës për ndryshimet në aktin më të lartë ligjor.


“Ndryshimet kushtetuese do të kalojnë në Kuvend gjatë dy javëve në vijim dhe procesi do të nisë në përputhje me procedurat në Kuvend, ku i takojnë. Është detyrë e çdo deputeti të çdo partie politike në Kuvend të mbështesë këtë proces dhe të sigurojë avancimin e integrimit europian duke hapur kapitujt duke hapur klasterët dhe duke përfunduar negociatat deri në vitin 2030 dhe anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian”, tha Kovaçevski.

Por për sigurimin e shumicës dhe për faktin se ka kontakte me ndonjë krah ideologjik, ditëve të fundit foli ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, për të cilin Mickoski u përgjigj se ëndërron. Osmani i është përgjigjur Mickoskit në një intervistë për Kanal 5.

“Ndoshta do të zgjohet kur të shohë kalimin e ndryshimeve kushtetuese në televizion. Por duke lënë mënjanë shakanë, në një rast thashë se hera e parë që e kam dëgjuar idenë e ndryshimeve kushtetuese si zgjidhje për marrëdhëniet me Bullgarinë ishte nga një zyrtar i lartë i VMRO-DPMNE-së. Aty ekziston linja ideologjike që dha propozimin”, u shpreh Osmani.

Osmani nuk ka sens të mirë për humor, u kundërpërgjigj Mickoski. Nuk do të ketë ndryshime kushtetuese, duhen zgjedhje të parakohshme, tha ai.

“Nëse si mjek është i shqetësuar për gjumin tim, ata që më njohin e dinë që fle shpejt dhe pak, zgjohem herët dhe punoj me orë të tëra gjatë ditës. Por nëse si politikan po përpiqet të përdorë ndonjë lloj metafore, atëherë mendoj se e ka gabim, e kemi thënë shumë herë në të kaluarën që VMRO-DPMNE nuk pranon diktat si ky diktat bullgar dhe nëse i referohet ndryshimeve kushtetuese, ndryshime të tilla nuk do të ketë”, tha më tej Mickoski.

Kundër ndryshimeve kushtetuese janë edhe partitë më të vogla opozitare. Në emër të të 15 partive, Erdogan Saraç i Partisë së turqve tha se në vend të kësaj duhen zgjedhje të parakohshme.

“Duke marrë parasysh shpërndarjen e forcave në Kuvend, është më se e qartë se qeveria nuk mund të sigurojë një shumicë prej dy të tretash për një ndryshim të tillë të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë, dhe rrjedhimisht, si zgjidhje për krizën e përgjithshme në vend, ne propozojmë të shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare sa më shpejt, pa vonesë”, ka deklaruar Saraç.

Pas dorëzimit të iniciativës për ndryshime kushtetuese në Kuvend, duhet të kalojnë 30 ditë nga mbledhja e parë e Komisionit për Çështje Kushtetuese, që do të thotë se debati për to duhet të fillojë në mes të gushtit dhe deri në nëntor, që është afati përfundimtar për miratimin e tyre, mbeten edhe 3 muaj e gjysmë, që është një periudhë shumë e shkurtër për të gjithë procedurën në Kuvend.