Lajçak: S’i mbaj anën as Kurtit e as Vuçiqit

Shpërthimi nuk u dëgjua, e as tymi nuk iu pa.


Megjithatë, kështu po ilustrohet zhvillimi i së dielës së 23 prillit në veriun e Kosovës.

Lejimi i votimeve atë ditë në katër komunat veriore, sipas emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë Serbi, ishte si lloj shkelje në mjet shpërthyes, raporton Klan Kosova.

“Marrëveshja e marsit ishte një hap i madh në normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Ne dimë saktësisht se çfarë duhet bërë. Por ka shumë ‘mina përgjatë rrugës’ mbi të cilat nuk duhet shkelur. Zgjedhjet lokale të prillit ishin një e tillë mbi të cilën fatkeqësisht shkelëm. Aktualisht përqendrimi ynë nuk është më në normalizim, por në menaxhim të krizave”, tha Miroslav Lajçak.

Por, gabimi në këtë situatë, sipas Lajçakut, nuk është te BE-ja, por gjithçka varet nga palët.

E pikërisht këta të fundit, kryeministri kosovar Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiq, po thuhet se po komunikojnë më mirë tash, se përpara.

“Edhe Vuçiqi edhe Kurti e dinë se çdo gjë për të cilën bien dakord do të shikohet nga afër nga qytetarët e tyre dhe publiku. Për shkak të këtij presioni, atyre iu desh një kohë që të krijonin një marrëdhënie pune. Mbaj mend që takimi i parë në 2021 nuk ishte i lehtë. Më pas ata mësuan të dëgjonin njëri-tjetrin dhe të mos pajtoheshin me respekt në vend që të fyenin njëri-tjetrin”, tha Lajçaku.

E mes të dyve, ky thotë se nuk ia mban krahun askujt, pasi të punuarit në mënyrë të paanshme është detyra e tij.

Këto deklarata, diplomati sllovak i dha kur u pyet nga gazetari i mediumit austriak “Kurier”, për kritikat që kohëve të fundit po drejtohen në adresë të Lajçakut, duke e akuzuar si mbështetës të Serbisë kundër Kosovës.