Izet Mexhiti për TV21 ka folur për zhvillimet e fundit në Grupin e Zjarrit.


Pasi publikoi fotografinë mbrëmë nga Gostivari, ku nuk u panë të shoqëruar nga Blerim Bexheti dhe Nevzat Bejta, u thelluan dyshimet se “Grupi i zjarrit” është duke u përçarë.

Nuk foli për përçarje, por Mexhiti e pranoi se ka dallime.

“Me shokët bisedojmë, por kemi dallime. Ne kësaj pune kur i kemi hyrë, i kemi hyrë me gjithë mend dhe jo për të lozur. Kemi shprehur vërejtjet dhe kritikat tona ndaj asaj që ka qenë intuitë dhe ndaj asaj që e kemi parë që ky ekzekutiv po ia humb rrugën BDI-së dhe po e largon nga qëllimet dhe idealet. As unë dhe as shokët për rreth nuk e kemi paraparë që BDI ka shkuar kaq larg”, tha ai para kamerës së TV21.

Tash duke e parë gjithë këtë, ne të hapim dilemën se kah duhet të shkojmë, nuk është e logjikshme, shtoi më tej Mexhiti dhe tha se opsion mbetet edhe formimi i një lëvizjeje të re.

“Ne jemi duke e biseduar me të gjitha strukturat që të gjitha opsionet janë të hapura edhe për formimin e një lëvizje të re”, shtoi ai.

Tha se BDI ka shkarkuar çdo anëtar të qeverisë që ka qenë në të njëjtën ideologji me GZ-në, por, kjo nuk duhet të jetë arsye sipas tij që të dorëzohen.

“O e vazhdojmë betejën, o shkojmë në shtëpi e dorëzohemi”, tha Mexhiti më tej.