Vetëm 15 për qind nga 44 ndërmarrje publike të analizuara posedojnë kushtet teknike për të vepruar ndaj denoncimeve të sinjalizuesve dhe në të njëjtën kohë, vetëm tre prej ndërmarrjeve kanë marrë d4enoncim nga një sinjalizues në periudhën 2020-2022.


Kështu thuhet në rezultatet e “Studimit për vlerësimin e kushteve për trajtimin e denoncimeve të sinjalizuesve, transparencës dhe llogaridhënies së ndërmarrjeve publike në Republikën e Maqedonisë së Veriut” i realizuar në kuadër të hulumtimit të Institutit për Hulumtime Strategjike dhe Edukim – IHSE , të realizuar në periudhën Dhjetor 2022 – Prill 2023 përmes një projekti të mbështetur nga Ambasada Amerikane, përcjell PRESSonline.al

“Përveç kësaj, studimi ka vënë në dukje edhe kapacitete të kufizuara njerëzore, duke qenë se nga 44 ndërmarrje publike, vetëm 19 prej tyre kanë emëruar person të autorizuar për të vepruar ndaj denoncimeve të sinjalizuesve. Dobësi janë vërejtur edhe në fushën e procedurave të brendshme kundër korrupsionit. Pra, 23 ndërmarrje publike nuk kanë përgatitur plane vjetore për vlerësimin e rreziqeve të korrupsionit (ose akte të ngjashme), 36 ndërmarrje publike nuk kanë akte për parandalimin e konfliktit të interesit dhe 37 ndërmarrje publike nuk kanë akte të brendshme për pranimin e dhuratave nga persona të tretë për punonjësit e ndërmarrjes publike”, njofton ISIE, përcjell PRESSonline.al

Analiza e studimit synon të vlerësojë: kushtet teknike për veprimin ndaj denoncimeve të sinjalizuesve, të cilat përcaktohen me Rregulloren për raportimin e brendshëm të mbrojtur në sektorin publik, kapacitetet njerëzore në dispozicion të ndërmarrjeve publike, procedurat për veprim ndaj denoncimeve ndaj sinjalizuesit dhe raportin e ndërmarrjes publike me themeluesin (komunën apo Qeverinë).

Në kuadër të këtij studimi, bëhet një analizë e mekanizmave për pranimin dhe veprimin ndaj denoncimeve të sinjalizuesve në ndërmarrjet publike të themeluara nga njësitë e vetëqeverisjes lokale në katër rajone planifikuese (Rajoni Planifikues Lindor, Pellagonian, i Pollogut dhe i Shkupit) për periudhën 2020-2022. Gjithashtu, në kuadër të hulumtimit përfshihen edhe ndërmarrjet publike të themeluara nga shteti (Qeveria), të cilat e kanë selinë e tyre brenda një komune në një nga rajonet e specifikuara planifikuese të mbuluara nga hulumtimi. Në këtë studim janë analizuar gjithsej 44 ndërmarrje publike, nga të cilat janë siguruar të dhëna për 43 ndërmarrje, ndërsa nga një ndërmarrje nuk janë marrë të dhëna. Gjithashtu, në studim janë përfshirë 19 themelues (18 komuna dhe Qeveria), nga të cilët janë dhënë të dhëna për 17 themelues (16 komuna dhe Qeveria), ndërsa nuk janë dhënë të dhëna për dy themelues.

Gjetjet e studimit u prezantuan në punëtori të veçanta të organizuara në Shtip, Manastir, Tetovë dhe Shkup në maj të këtij viti me përfaqësues të komunave, këshilltarëve në këshillat komunale dhe këshillin e Qytetit të Shkupit, përfaqësues të ndërmarrjeve publike të themeluara nga komunat, Qyteti i Shkupit dhe Qeveria, si dhe aktivistë civilë. Studimi është i disponueshëm në gjuhën maqedonase dhe në gjuhën shqipe në faqen e internetit të IHSE.