Dy të vrarë dhe 20 të plagosur nga sulmet ruse në Ukrainë

Dy persona janë vrarë dhe 20 të tjerë janë plagosur në një sulm rus me raketa në qytetin e Ukrainës qendrore, Kryvyi Rig, të hënën në mëngjes, njoftoi ministri i Brendshëm i Ukrainës, Igor Klymenko.


“Dy persona kanë vdekur dhe 20 janë plagosur deri tani. Pesë deri në shtatë persona janë nën rrënoja”, tha ministri.

Klymenko tha se njëri nga sulmet i shkatërroi disa kate të një blloku banesor, ndërsa tjetri e dëmtoi një ndërtesë arsimore, raporton Radio Evropa e Lirë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e postoi një video në Facebook e cila shfaqi tym të zi duke dalë nga një vrimë e madhe e krijuar në fasadën e një blloku banesash.

Pamjet treguan po ashtu një ndërtesë të pabanueshme e cila ishte shkatërruar pjesërisht.

Zelensky tha se rusët po “vazhdojnë t’i terrorizojnë qytetet dhe njerëzit paqësorë”.

“Por ky terror nuk do të na frikësojë apo gjunjëzojë neve”, shtoi Zelensky.

Ndërkohë, Ukraina është duke kërkuar ta çojë luftën në Rusi, duke goditur atë me sulme me dronë sa më thellë territorit të saj.

Sulmi i fundit, të dielën, i dëmtoi dy ndërtesa vetëm pak kilometra larg Kremlinit./REL