Mercenarët e Wagner arritën në Kremlin gjatë qershorit, jo për të rrëzuar udhëheqësit, por për t’u ballafaquar me ta.


Lajmi konfirmohet nga zëdhënësi, Dmitry Peskov, që saktëson se më 29 qershor, 5 ditë pas rebelimit të armatosur, presidenti rus Vladimir Putin, u takua me 35 anëtarë të grupit Wagner dhe themeluesin e kompanisë, Yevgeny Prigozhin.

“Ai takim zgjati gati 3 orë”, bëri me dije zëdhënësi i Kremlinit duke shtuar se Putini u ofroi atyre një vend pune ose mundësi për të luftuar.

Mercenarët ishin përgjigjur duke konfirmuar besnikërinë ndaj presidentit dhe Rusisë. Më herët, ishte media franceze Liberation që raportoi diçka të tillë dhe se Prigozhin ishte në Moskë. Disa ditë më parë iu bastis dhe rezidenca në Shën Petersburg, ku policia sekuestroi shumë të mëdha parash, lingota ari, paruke dhe armë.

Sakaq, në publik është rishfaqur gjenerali i “zhdukur”, Valery Gerasimov, shefi i shtabit të ushtrisë së Rusisë, për herë të parë që prej rebelimit të Wagner më 24 qershor. Këtë e bëri për të shpjeguar se si ushtria ruse pengoi një sulm me raketa ukrainase në rajonet e Krimesë, Rostovit dhe Kalugës.

Gerasimov mendohet se është shkarkuar nga Putin, pasi bashkë me ministrin e mbrojtjes Sergej Shoigu akuzohen nga kreu i Wagner se po komplotonin për vrasjen e mercenarëve. Ndërkohë, rreziku që konflikti në Ukrainë të përshkallëzohet po hyn në një fazë delikate.

Numri dy i këshillit të sigurisë në Rusi, Dmitry Medvedev, kërcënon me shënjestrimin e impianteve bërthamore të Europës lindore, nëse konfirmohet ndonjë tentativë për sulm në centralet ruse me raketa të NATO-s.