Rusia lëshoi raketa lundrimi dhe dronë në objektiva anembanë Ukrainës gjatë natës, njoftuan forcat ajrore të Ukrainës.


Në një deklaratë, forcat ajrore thanë se 12 nga 20 raketa dhe dronë të lëshuar nga Rusia u kapën nga mbrojtja ajrore e Ukrainës, raporton CNN.

Rusia lëshoi katër raketa lundrimi Kalibr nga Deti i Zi në drejtim të Odesës, tre prej të cilave u rrëzuan. Autoritetet ukrainase thanë më herët se të paktën tre persona u vranë dhe 13 të tjerë u plagosën në sulmin në qytetin port jugor.

Forcat ruse gjithashtu lëshuan gjashtë raketa lundrimi Kh-22 nga bombarduesit me rreze të gjatë Tu-22M3 që synonin Donetskun nga rajoni Rostov i Rusisë, sipas forcave ajrore të Ukrainës.

Rusia lëshoi gjithashtu 10 dronë sulmues të prodhuar nga Irani në Ukrainën juglindore, nëntë prej të cilëve u rrëzuan, thanë forcat ajrore.

“Forcat Ajrore, në bashkëpunim me mbrojtjen ajrore të Forcave të Mbrojtjes së Ukrainës, shkatërruan 12 objektiva ajrore gjatë këtij sulmi të natës: tre raketa lundrimi Kalibr dhe nëntë drone sulmuese iraniane Shahed-136/131”, thuhet në deklaratën e Forcave Ajrore.