Suedia shpreson të jetë në gjendje të përcaktojë se kush qëndron pas sabotimit të tubacioneve të gazit Nord Stream deri në vjeshtë, tha prokurori përgjegjës për hetimin për radion suedeze.


Në shtator 2022, një seri shpërthimesh të pashpjegueshme nënujore shkaktuan çarje në tubacionet Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2 që lidhin Rusinë dhe Gjermaninë përmes Detit Baltik. Shpërthimet ndodhën në zonat e Suedisë dhe Danimarkës dhe të dyja vendet pohojnë se shpërthimet ishin të qëllimshme, megjithëse deri më tani nuk kanë identifikuar se kush ishte përgjegjës për to.

Mats Ljungvist, prokurori që drejton hetimin, i tha radios suedeze se ishte takuar me prokurorin gjerman dhe se ata po punonin së bashku, por nuk pranoi të jepte detaje të mëtejshme.

“Shpresoj se të paktën këtë vjeshtë do të jemi në gjendje të marrim një vendim lidhur me ndjekjet penale, të paktën kjo është ambicia,” tha Ljungvist për rrjetin publik SR. “Unë në fakt besoj se me kalimin e kohës do të dalë në dritë (kush e bëri sabotimin)”.

Gjermania ka konfirmuar se hetuesit e saj bastisën një anije në janar që mund të ishte përdorur për transportin e eksplozivëve, të cilët më pas u përdorën për të hedhur në erë tubacionet. Mediat gjermane raportuan se anija mund të ishte përdorur nga një grup i vogël ukrainassh ose pro-ukrainas.

Ljungvist i tha Reuters në prill se skenari kryesor është që një shtet ose një grup i mbështetur nga shteti qëndronte pas sulmit.

“Unë mendoj se ky rast është forcuar gjatë rrjedhës së hetimit,” i tha ai SR.