Analistët thonë se gjasat për një përparim në çështjet kryesore dypalëshe mbeten të ulëta gjatë vizitës së zotit Blinken.


“Gjëja më e mirë që mund të arrijë kjo vizitë është krijimi i një hapësire të re për marrëdhëniet dypalëshe dhe hapja e rrugës për takime të tjera në nivel kabineti”, tha Dennis Wilder, ish-drejtor i Këshillit të Sigurisë Kombëtare për Kinën.

“Të flasësh është e rëndësishme edhe kur nuk ka përparime”, tha Patrick Cronin, drejtues i sigurisë për Azi-Paqësorin në Institutin Hudson.

Zoti Cronin tha se të dyja palët mund të shohin një përparim për Ukrainën, tregtinë dhe ndryshimet mjedisore.

“Të shtyrë nga dëshira e ndërsjellë për të punuar së bashku, kur zyrtarët të takohen më vonë gjatë këtij viti, mendoj se Sekretari Blinken do të jetë në gjendje të gjejë disa fusha me interes të përbashkët. Një fund paqësor i luftës në Ukrainë, fillimi i dialogut mbi Inteligjencën Artificiale, tregtinë dhe ndryshimet klimatike janë të gjitha të mundshme”, tha zoti Cronin.

Për vizitën e Sekretarit Blinken në Pekin u ra dakord në takimin e presidentit Biden me presidentin kinez Xi Jinping në Bali të Indonezisë, në nëntor të vitit 2022.

Ai takim nuk siguroi një përparim, por u pa si një hap i rëndësishëm në stabilizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Por tensionet u përshkallëzuan pasi dy palët u përplasën për çështje të nxehta, përfshirë Tajvanin dhe Ukrainën.

Në shkurt, zoti Blinken anuloi udhëtimin e tij në Pekin pasi një balonë spiune kineze hyri në hapësirën ajrore të SHBA-së.

Që atëherë, SHBA-ja ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të rifilluar dialogun me Pekinin pavarësisht tensioneve.

Javët e fundit, ka pasur bisedime të nivelit të lartë midis dy palëve, një shkrirje e mundshme në lidhjet dypalëshe.

Javën e kaluar, zoti Kritenbrink dhe zonja Sarah Beran, drejtoresha e lartë e Këshillit të Sigurisë Kombëtare për Kinën, udhëtuan në Pekin për të takuar Ma Zhaoxu, zëvendësministrin e jashtëm dhe Yang Tao, drejtorin e departamentit të çështjeve të Amerikës së Veriut./voa