Rusia ka rritur masat e sigurisë në Moskë dhe qytetet kufitare herët këtë mëngjes pasi kreu i grupit paraushtarak Wagner, Yevgeny Prigozhin, akuzoi forcat ruse për sulm ndaj mercenarëve të tij dhe u zotua të hakmerret, transmeton Anadolu.


Kryetari i Bashkisë së Moskës, Sergey Sobyanin, tha se në qytet po ndërmerren “masa antiterroriste”.

Mjete të blinduara janë dërguar në Moskë për shkak të masave të shtuara të sigurisë.

Guvernatori i Provincës së Rostovit, Vasiliy Golubev, u bëri thirrje banorëve të mos largohen nga shtëpitë e tyre.

Gjeneralët e akuzuan Prigozhinin për një “tentativë për grusht shteti” me komandantin më të lartë rus në Ukrainë, Sergei Surovikin, duke u kërkuar luftëtarëve të Wagnerit të dëgjojnë presidentin rus Vladimir Putin.

Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë tha se veprimet e Prigozhinit janë “thikë pas shpine” dhe e akuzoi atë për nxitje të një “rebelimi të armatosur”.

Shërbimi u bëri thirrje luftëtarëve të Wagnerit që të mos u binden urdhrave të tij “kriminale dhe tradhtare” dhe të arrestojnë liderin e tyre.

Prigozhin sfidoi forcat ruse dhe kërcënoi se do të shkatërronte këdo që do të qëndronte në rrugën e “Wagnerit”.

Në një mesazh zanor të shpërndarë në platformën e mediave sociale Telegram, ai tha se forcat e tij janë zhvendosur nga Ukraina në qytetin rus Rostov.

Prigozhin tha gjithashtu se forcat e tij kanë rrëzuar një helikopter ushtarak rus.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se Putin është plotësisht e informuar për situatën me Prigozhinin dhe se po merren të gjitha masat e nevojshme.

Ndërkohë, Komiteti Kombëtar kundër Terrorizmit i Rusisë hapi procedim penal kundër Prigozhinit me akuzën e nxitjes së rebelimit të armatosur dhe kërkoi që ai “të ndalojë veprimet e paligjshme”.

Më herët, Progozhin ndau një mesazh zanor në Telegram në të cilin pretendonte se forcat ruse kishin sulmuar grupin e tij paraushtarak.

Pas sulmit të raportuar me raketa ndaj Wagnerit, Prigozhin fajësoi Ministrinë Ruse të Mbrojtjes dhe personalisht u zotua të “ndëshkojë” autorët dhe ministrin rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu.

Në muajt e fundit, Prigozhin ka akuzuar vazhdimisht Ministrinë ruse të Mbrojtjes dhe Shoigun për mosfurnizim të mjaftueshëm me armë për grupin paraushtarak, anëtarët e të cilit po luftojnë kundër forcave ukrainase.