Ministrja e jashtme gjermane: Njerëzit më pyesin ‘Ku është Ukraina?’

Ministrja Annalena Baerbock tha sot se vendet e botës qe ajo viziton janë të shqetësuar për çështjet ekonomike dhe jo një konflikt të largët.


Sipas ministres konflikti mes Moskës e Kievit ka shumë pak interes në vende të tjera të botës, aq sa në udhëtimet e saj diplomatike apo është pyetur dhe për vendndodhjen e Ukrainës.

Në vend të fokusit te Ukraina, njerëzit fajësojnë vendet perëndimore se po i braktisin në një moment nevoje dhe akuzojnë se Perëndimi nuk e vret mendjen për pjesën tjetër të botës, shtoi Baerbock.“E kam dëgjuar këtë në të gjithë botës: ‘Ku ishit ju kur kishim nevojë për ju?’ apo edhe ‘Ku bie kjo Ukraina?”, tha ministrja në një event të organizuar nga universiteti brazilian Fundacao Getulio Vargas (FGV) në Sao Paulo.
Baerbock shtonte: “Njerëzit në Amerikën Latine dhe vende të tjera e perceptojnë ndryshe kërcënimin e kësaj lufte nga ne këtu në Evropë. Njerëzit në Brazil shqetësohen për çmimin e orizit e fasuleve në supermarket dhe jo çfarë ndodh në një vend që është 11 000 km larg”.

Ajo shtoi më pas se konflikti është duke nxitur rritjen e çmimeve në të gjithë botën dhe u kërkoi brazilianëve të ndihmonin që të ketë më në fund përsëri paqe në Ukrainë.

Presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, i ardhur në pushtet në janar ka bërë shpesh thirrje për paqe mes Rusisë e Ukrainës duke u ofruar si ndërmjetës mes palëve.

Lula ka kritikuar qasjen e Perëndimit ndaj çështjes për dërgimin e armatimeve. Në prill ai ka thënë se “Evropa dhe SHBA kishin opsionin të mos hynin në luftë në mënyrën që bënë “duke nxitur në mbrojtje të njërës anë të konfliktit, pa shpenzuar kohë për të negociuar”.