Mbytja e anijes me 79 viktima në Greqi, të mbijetuarit: Jemi trajtuar në kushte çnjerëzore, na kanë dhunuar


Detaje të rënda janë zbardhur nga tragjedia në brigjet greke ku humbën jetën 79 persona pas mbytjes së anijes në Pylos.

Mediat e huaja raportojnë se në bord janë gjetur gjashtë persona të cilat thuhet se janë goditur me thikë.

Pas incidentit të përgjakshëm, të mbijetuarit janë prononcuar për mediat greke.
Sipas informacioneve, nga deklarimet e personave të mbijetuar pranë autoriteteve portuale, masakra ka ndodhur para se të hynin në zonën greke të kërkim-shpëtimit, në ujërat territoriale ndërkombëtare. Megjithatë, nuk është e qartë nëse incidenti ka ndodhur mes trafikantëve dhe emigrantëve apo mes grupeve rivale të emigrantëve.

Regjistrimet tregojnë gjithashtu se anija fatkeqe e peshkimit, me bilancin 79 të vdekur dhe 104 të shpëtuar, u prish pesë herë gjatë udhëtimit.

Sipas të njëjtave deklarata pranë autoriteteve portuale, në anije ka mbizotëruar “gjendja ushtarake”, ata janë trajtuar ashpër, ndërsa të mbijetuarit thonë se njëri prej trafikantëve ka ecur me shkop dhe ka rrahur emigrantët që protestonin për kushtet çnjerëzore. Siç thanë, edhe për pak ujë do duhej të paguanin.

Nëntë trafikantët do të dalin para prokurorit të hënën.

Theksohet se shkaqet e mbytjes së anijes do të hetohen nga një komitet i BE-së, i cili do të kërkojë të gjitha bisedat e regjistruara mes Qendrës së Përbashkët të Kërkim Shpëtimit me rojet e portit që veprojnë në vendngjarje, si dhe me anijet që lundrojnë aty.