I dërguari i ShBA-së dhe ai i BE-së sot në Kosovë

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe ai i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, do ta vizitojnë sot Kosovën, me ç’rast do të takohen me krerët shtetërorë.


Nga Qeveria e Kosovës kanë njoftuar se takimi Kurti-Escobar-Lajçak do të zhvillohet në orën 20:00 në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, raporton Klan Kosova.

Kjo vizitë po zhvillohet në një kohë kur situata në veri të Kosovës mbetet ende e tensionuar për shkak të protestave dhe numrit të shtuar të forcave të rendit dhe ligjit.

BE-ja përmes një deklarate ka kërkuar që sa më parë të shpallen zgjedhjet e parakohshme në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse.

“Bashkimi Evropian është i gatshëm të zbatojë masa të vendosura. Dështimi për të de-përshkallëzuar tensionet do të çojë në pasoja negative. Presim që Kosova të veprojë në mënyrë jo de-përshkallëzuese dhe të pezullojë menjëherë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Kryetarët e komunave duhet t’i kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte të tjera përveç ndërtesave komunale. Zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse. Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në këto zgjedhje. Ne shprehim shqetësimin për gjendjen e gatishmërisë më të lartë të Forcave të Armatosura Serbe. Bashkimi Evropian pret që Kosova dhe Serbia të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen menjëherë në Dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri të Kosovës që garanton mbrojtje, siguri dhe demokraci me pjesëmarrëse për të gjithë qytetarët, dhe hap rrugën për zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksit të saj. Kjo përfshin fillimin pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm të punës për themelimin e Asociacionit së Komunave me Shumicë Serbe”, thuhet në deklaratën e BE-së.