Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell ka thënë se në takimet që i ka pasur sot me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqin, janë pajtuar se duhet të ketë zgjedhje të hershme në katër komunat veriore të Kosovës.


“Takimi i sotëm nuk u fokusua në shumë në çka por në atë se si dhe kur – do të qetësohet situata në terren, me shumë konkrete, si të organizohen zgjedhje të reja dhe si të kthehen në dialog dhe të zbatojnë të gjitha detyrimet e dialogut, në veçanti marrëveshjen e fundit në rrugën e normalizimit”, tha Borell të enjten.

“I kam theksuar presidentit Vuçiq që tre policët e mbajtur në Serbi duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte”, ka thënë Borrell.

Borrell ka kërkuar që të de-eskalohet situata, duke thënë se Kurti dhe Vuçiq janë të vetëdijshëm për këtë, por kanë qëndrime të kundërta.

Për katër orë rresht, në Bruksel, Borrell dhe i dërguari evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, kanë zhvilluar “një seri takimesh për menaxhimin e krizave”, fillimisht me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe më vonë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.