Të paktën 15 persona kanë vdekur nga helmimi pasi kanë konsumuar alkool në Iran, ndërsa më shumë se 180 të tjerë kanë përfunduar në spital.


“Deri tani, 15 kanë vdekur, ndërsa 180 të tjerë janë helmuar dhe shtruar më pas në spital”, tha për agjencinë shtetërore të lajmeve IRNA, Hossein Fazeli Harikandi, drejtues i provincës Alborz, ku ndodhi helmimi.

Ai shtoi se shumë prej personave të helmuar po i nënshtrohen dializës pasi pësuan dëmtime të rëndë na veshka.

Që prej revolucionit islamik të vitit të largët 1979, Irani ka ndaluar përdorimin e pijeve alkoolike.

Megjithatë, sërish futet alkool kontrabandë.

Deri tani, autoritetet në provincën Alborz kanë arrestuar gjashtë persona dhe kanë sekuestruar më shumë se 6,000 litra alkool nga një fabrikë kozmetike përpara shpërndarjes.

Instituti mjekoligjor i Iranit ka bërë të ditur se 644 persona kanë ndërruar jetë nga konsumimi i pijeve alkoolike gjatë 12 muajve të fundit, duke shënuar një rritje me 30 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të një vitit më parë.