Zgjedhjet presidenciale të Turqisë do të shkojnë në balotazh pasi Rexhep Tajip Erdogan mundi me lehtësi rivalin e tij kryesor Kemal Kılıçdaroğlu, por nuk arriti të kalojë pragun prej 50 +1% të votave të nevojshme për të shmangur një raund të dytë.


Balotazhi do të zhvillohet më 28 maj.

Kjo është hera e parë që kreu i shtetit do të detyrohet të marrë pjesë në një raund të dytë, pasi nuk ka arritur të mbledhë votat e nevojshme. Kundër tij, Kemal Kilicdaroglu, një ish-nëpunës civil, 74 vjeç, kandidati i një aleance të paprecedentë të gjashtë fraksioneve opozitare, thuhej se do të fitonte, por pavarësisht optimizmit, nuk arriti që të mposhte “Sulltanin”.

“ Zgjedhjet përfunduan me këtë raund të parë dhe meqenëse populli zgjodhi të ketë një raund të dytë, ne do ta respektojmë këtë”, u zotua Erdogan.

Nga ana tjetër, Kemal Kilicdaroglu shprehet i sigurt për një fitore.

“Njerëz të mi të dashur, që nga dje punojmë pa ndërprerje. Mos u dëshpëroni. Unë do të ngrihem, do t’i fitojmë këto zgjedhje së bashku. Në fund të çdo gjëje, fjalën do ta thotë vetëm kombi ynë”, tha ai.

Erdogan ka qeverisur Turqinë, fillimisht si kryeministër dhe më pas si president, që nga viti 2003, duke mbrojtur vlerat sociale fetare dhe konservatore dhe duke kryesuar një regjim gjithnjë e më autoritar që është gjithnjë e më jotolerant ndaj kritikave.