Ushtria e Sudanit tërhiqet nga bisedimet për armëpushim

Zyrtarët sudanezë thonë se ushtria ka pezulluar bisedimet e armëpushimit me Forcat paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) dhe e akuzon grupin për shkelje të vazhdueshme të marrëveshjeve të mëparshme të armëpushimit.


Ushtria mori vendimin “sepse rebelët nuk kanë zbatuar kurrë asnjë nga dispozitat e një armëpushimi afatshkurtër që kërkonte tërheqjen e tyre nga spitalet dhe ndërtesat e banimit dhe kanë shkelur vazhdimisht armëpushimin”, ka thënë një zyrtar qeveritar, për agjencinë e lajmeve AFP.

Një burim diplomatik sudanez informoi gjithashtu agjencinë e lajmeve Reuters për tërheqjen e ushtrisë nga bisedimet e brishta të armëpushimit, të cilat synojnë të mundësojnë akses humanitar.

Si ushtria ashtu edhe RSF nuk kanë komentuar publikisht për tërheqjen në fjalë.

Të hënën, ndërmjetësuesit nga Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite thanë se ushtria dhe RSF kishin rënë dakord për të zgjatur një armëpushim humanitar me pesë ditë.

Megjithatë, luftimet vazhduan në disa pjesë të Sudanit, duke përfshirë kryeqytetin, Khartoum, ku RSF tha se pozicionet e saj ishin sulmuar.

Ushtria tha se kishte zmbrapsur një sulm të RSF në qytetin qendror të El-Obeid.