Dëshmitari i pestë me radhë (me kodin 10), në rastin e Pjetër Shalës, gjatë dëshmisë së tij, të hënën, tha se verifikimin për personat e dyshuar se mund të kishin lidhje me Serbinë, e bënin komandantët në shtabin e logjistikës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Kukës.


Ai përmendi emrat e Xhemshit Krasniqit, Sali Saramatit dhe Afrim Hoxhës.

Lidhur me atë se si bëhej verifikimi, ai tha se këtë e dinë “të mëdhenjtë” dhe se tjetër informacion nuk ka.

Kurse, lidhur me atë se verifikimi bëhej me dyshimin se këta persona kishin lidhje me Serbinë, ai tha se e merrte nga vetë këta persona kur kishte qëlluar kujdestar i rojës në hyrjen e ndërtesës.

Sipas tij, këta persona nga ana e UÇK-së quheshin vetëm të dyshuar, shkruan Betimi për Drejtësi përcjell Klankosova.tv

Tutje, ai sërish tha se herën e parë kur kishte shkuar te dhoma hetuese, dhoma kishte qenë bosh kurse herën e dytë kishte parë nga dritarja dhe se në atë vend kishte parë rreth 5 persona brenda.

Ai tha se aty kishte shkuar veç për qejf dhe jo për ndonjë arsye tjetër, duke shtuar se ‘‘jo kurgjo, veç me këqyr kush është mrena’’.

Paraprakisht, i pyetur nga ZPS se çfarë kuptimi kishin inicialet HH, SS dhe DZK. në skicën e shënuar nga vetë ai, dëshmitari u përgjigj me ‘‘nuk më kujtohet’’.

Ndërsa, pas rikujtimit nga ana e Prokurorisë me leximin e transkripteve të intervistës me ZPS-në në vitin 2019, i njëjti pohoi se shkurtesën HH e kishte pasur për Hafir Hoxhën, SS për Sali Saramatin dhe DZK për Xhemshit Krasniqin, duke i identifikuar kështu vendet ku ata kishin qëndruar, e që ishte ndërtesa me numër katër/Klankosova.tv