Luftimet mes Izraelit dhe militantëve palestinezë kanë vazhduar për ditën e katërt me radhë. Grupi i militantëve të Xhihadit Islamik kanë lansuar mijëra raketa ndërkaq ushtria izraelite ka bombarduar disa pjesë të Rripit të Gazës, shkruan AP.


Shpresat për arritjen e armëpushimit mes grupit të militantëve dhe ushtrisë izraelite janë shuar të shtunën kur u bombardua një objekt që i përkiste njërit prej komandantëve të Xhihadit Islamik. Si kundërpërgjigje, militantët kanë lansuar mijëra raketa në drejtim të jugut të Izraelit. Në këtë pjesë, miliona izraelitëve u është kërkuar që të qëndrojnë nëpër dhomat më të sigurta dhe bodrume.

Në ditët e fundit të luftimeve janë vrarë 31 palestinezë në Gaza dhe një 70-vjeçar në qendër të Izraelit. Shteti izraelit është konfrontuar me Xhihadin Islamik, grupi i dytë më i madh i militantëve në Gaza pas Hamasit. Që prej së martës, Izraeli ka konfirmuar vrasjen e pesë udhëheqësve të Xhihadit Islamik.