Bashkimi Evropian ka mbajtur sot një takim ku është diskutuar për Planin e Veprimit për Kontrollin e Armëve.


Përfaqësuesi i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Josep Borrell, ka folur rreth tragjedisë që ndodhi në Serbi më 3 maj, ku u vranë 10 persona nga një 14-vjeçar në një shkollë.

Borrell tha se rreziku që vjen nga këto armë nuk është vetëm një teori.

“Êshtë e gabuar të mendohet se incidente të tilla nuk mund të ndodhin në Evropë”, tha Borrell.

Ai shtoi se është përgjegjësi e të gjithëve për ta bërë Evropën më të sigurt në kohë të tilla sfiduese, duke përshëndetur fillimin e fushatës së Serbi, dorëzimin e të gjitha armëve të paligjshme.

I pari i diplomacisë evropiane foli edhe rreth rëndësisë së angazhimit të BE-së për të ndihmuar Ballkanin Perëndimor të luftojë kundër dhunës dhe trafikimit të armëve.

“Shpesh herë, BE-ja ka tërhequr vëmendjen për faktin se sasi të mëdha armësh të paligjshme që gjejnë rrugën e tyre në tregun evropian, e kanë origjinën pikërisht nga rajoni i Ballkanit, me rrjete të krimit të organizuar nga këto vende që janë aktive në BE”, theksoi shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell, përcjell Klankosova.tv

“Të gjithë e dimë se ky aktivitet është një rrezik i madh për paqen dhe stabilitetin tonë. Është një kërcënim i shumëfishtë dhe rrit rrezikun e sulmeve terroriste gjithashtu”, shtoi Borrell.

E pranishme në takim, Komisionerja Evropiane për Punët e Brendshme, Ylva Johansson, theksoi rëndësinë e masave për parandalimin e trafikut të paligjshëm të armëve në rajon.

Ashtu si Borrell, ajo përshëndeti iniciativën e autoriteteve serbe për mbledhjen e armëve në pronësi të paligjshme.

BE ka investuar deri më tani 38 milionë euro për të ndihmuar me aktivitetet e kontrollit të armëve në rajon.