Për shkak të kërkesës së dobët, prodhuesi më i madh në botë i çipave të memories, pësoi humbje 3.4 miliardë dollarë nga biznesi i tij i gjysmëpërçuesve. Por, fitimet nga smartphone ishin më të forta. Biznesi i çipave të memories së Samsung-ut, sapo kaloi një tremujor të tmerrshëm, pasi rënia e kërkesës dhe inventari i madh i pajisjeve, sollën një humbje 3.4 miliardë dollarë – shkruan Bloomberg.


Humbja në njësinë e gjysmëpërçuesve, që është zakonisht burimi më i madh i fitimit për kompaninë, ndikoi në rënien e fitimit operativ tremujor të Samsung me 95%, afërsisht 478 milionë dollarë. Disa faktorë kontribuan në humbjet e Samsung në divizionin e tij të çipave të memories.
Prodhuesit e smartphone dhe PC shtuan gjendjen e çipave gjatë pandemisë, si mbrojtje ndaj problemeve të ofertës ndërsa kërkesa u rrit, por që atëherë kanë mbetur me teprica të mëdha në inventar, pasi kërkesa e konsumatorëve ka rënë, për shkak të inflacionit të lartë dhe pasigurive më të mëdha ekonomike globale.

Samsung shpreson, që biznesi i çipave do të fillojë të rritet në gjysmën e dytë të këtij viti. Gjatë asaj periudhe, inventarët ekzistues pritet të kenë mbaruar dhe modelet e reja të smartphone dhe PC-ve do të nxisin kërkesën.

Kjo lidhet me shpresat për një rimëkëmbje ekonomike në Kinë, tregu më i madh për PC dhe smartphone në botë. Samsung, një nga furnizuesit më të mëdhenj në botë të çipave të memories, kishte paralajmëruar për tremujorin e tij të vështirë, në publikimin paraprak të fitimeve në fillim të këtij muaji.

Si përgjigje, kompania planifikon të zvogëlojë prodhimin e çipave të memories me një sasi “ndjeshme”, për të ndihmuar në frenimin e një rënieje të çmimeve rreth 70%, gjatë nëntë muajve të mëparshëm. Por, kompania nuk planifikon të shkurtojë investimet në këtë divizion.

“Ne kemi ndryshuar planet afatshkurtra të prodhimit, por ndërsa projektojmë një kërkesë të qendrueshme në periudhën afatmesme dhe afatgjatë, do të vazhdojmë të investojmë në infrastrukturë, për të zgjeruar investimet në kërkim dhe zhvillim, në mënyrë që të forcojmë pozicionin tonë në udhëheqjen teknologjike,” thuhet në një deklaratë.

Nivelet e investimeve në vitin 2023 pritet të jenë gjerësisht në përputhje me vitin e kaluar.

Ky nuk është plotësisht lajm i keq për gjigantin elektronik të Koresë së Jugut. Fitimi në divizionin e tij të smartphone, i cili nxori në shitje modelin Galaxy S23 tremujorin e kaluar, u rrit me 3%, në 2.9 miliardë dollarë, krahasuar me vitin e kaluar. Megjithatë, të ardhurat, ranë 2%, në reth 22.9 miliardë dollarë.