Modeli aktual zgjedhor në Maqedoninë e Veriut është një nga modelet zgjedhore më proporcionale në Evropë. Në këtë aspekt, vendi tashmë ndan vendin e dytë në konkurrencë në mesin e 32 vendeve evropiane. Këtë e tregon hulumtimi i Institutit për Demokraci “Societas Civilis” (IDSCS) – “Maqedonia e Veriut në hartën zgjedhore evropiane: Sa proporcional është modeli zgjedhor maqedonas?”, shkruan PRESSonline.al


Në studim analizohet shkalla e proporcionalitetit ndërmjet shpërndarjes së votave dhe shpërndarjes së vendeve parlamentare në modelin zgjedhor të Maqedonisë së Veriut. Përmes krahasimit me 31 shtete të tjera evropiane, konstatohet se Republika e Maqedonisë së Veriut dallohet me proporcionalitet (dukshëm) mbi mesatar, sipas tre elementeve kryesore të modeleve zgjedhore: madhësia e njësive zgjedhore, (mos) ekzistenca e pragu zgjedhor dhe lartësia e mundshme e tij dhe numri i deputetëve.

“Nëse merren parasysh vetëm vendet me një popullsi prej së paku 1 milion banorë, gjë që do të përjashtonte Luksemburgun, Maqedonia e Veriut në fakt ka modelin zgjedhor më proporcional në Evropë”, thekson studimi.

Maqedonia e Veriut ka një model përgjithësisht më proporcional se të katër vendet në Evropë me një njësi zgjedhore (Mali i Zi, Kosova, Serbia dhe Sllovakia). Sipas studimit, ky është vetëm një tregues më shumë se debati publik për reformat zgjedhore në vend, i cili shpesh barazohet në modelin me “një zonë zgjedhore”.

Përjashtim bën vetëm formula elektorale, ku Maqedonia e Veriut përdor formulën më pak proporcionale, por edhe më të zakonshmen Donto në Evropë. Nisur nga proporcionaliteti jashtëzakonisht i lartë i modelit aktual zgjedhor, ky studim problematizon një pjesë të argumentimit të mbështetësve të reformave zgjedhore drejt proporcionalitetit edhe më të lartë. Në të thuhet se “paraqitja eventuale e një modeli zgjedhor më proporcional mund të kërcënojë seriozisht formimin dhe stabilitetin e pushtetit ekzekutiv, duke dobësuar më tej demokracinë”, përcjell PRESSonline.al

Vitet e fundit ka pasur debate të shpeshta për reformat dhe rregullat zgjedhore, veçanërisht në prag të cikleve zgjedhore. Ky debat ka në fokus më së shumti numrin e njësive zgjedhore, pragun zgjedhor, formulën zgjedhore dhe listën zgjedhore, si dhe numrin e deputetëve.

Në vitin 2019, më pak se një vit para zgjedhjeve, iniciativa e partive më të vogla për ndryshimin e modelit zgjedhor në drejtim të krijimit të një njësie zgjedhore u mbështet nga kryeministri i atëhershëm Zoran Zaev dhe nga Lidhje Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) në pushtet. Propozimi i partive të vogla u përkrah më vonë nga partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE.

Kjo nismë nuk gëzoi mbështetjen e bllokut politik shqiptar, i cili besonte se një njësi zgjedhore do të dëmtonte përfaqësimin e votuesve shqiptarë në Parlament. Këtë mendim e ndajnë edhe dy partitë më të mëdha shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe Aleanca për Shqiptarët (ASh), ndonëse qëndrimi i tyre nuk shkon në të njëjtin drejtim.