Qeveria e Kosovës e ka përkrahur vendimin e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullim.


Qeveria ka thënë se paragrafi i parë i nenit 35 të Kushtetutës garanton lëvizjen e lirë të qytetarëve në Republikën e Kosovës në çdo vendbanim.

“Çfarëdo pengese në lirinë e lëvizjes cenon këtë të drejtë themelore. Prandaj edhe vendimi për heqjen e pengesave të tilla është veprim i drejtë dhe i duhur”, thuhet në përgjigjen që Qeveria i ka dhënë televizionit publik të shtunën.

Një ditë më parë, pas vendimit të Kuvendit Komunal të Mitrovicës për rihapje të urës, emisari special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, ka thënë se “s’është koha për ta hapur Urën e Ibrit”. Ndërsa të shtunën, në misionin e KFOR-it kanë thënë se kjo është çështje që duhet të zgjidhet nëpërmjet dialogut politik.