Nis gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së

Në Gjykatën Speciale në Hagë sapo ka nisur procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.


08:57 – Nga arrestimi e deri te nisja e gjykimit të Thaçit dhe të tjerëve

Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, nga sot (3 prill), do t’i dëgjojnë akuzat për krime lufte që rëndojnë mbi ta, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit iu konfirmua aktakuza nga Gjykata Speciale më 4 nëntor të vitit 2020, ndërkaq Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, kjo aktakuzë iu konfirmua një ditë më vonë, pra më 5 nëntor.

Sipas akuzës, së paku mes marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.

“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit bashkë me udhëheqësit tjerë të UÇK-së kontribuuan në arritjen e qëllimit t përbashkët.

“Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akuza.

Ish-presidenti, Hashim Thaçi, asaj kohe doli në një konferencë të jashtëzakonshme për media, ku tregoi se iu është konfirmuar aktakuza dhe në të njëjtën kohë dha dorëheqje nga pozita e presidentit. Thaçi dha dorëheqje më 5 nëntor 2020 dhe u arrestua po atë ditë.

Edhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, e kishte bërë të njëjtën gjë përmes një konferencë për media. Më 10 nëntor të vitit 2020, në paraqitjen e parë para Gjykatës Speciale, Veseli u deklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat.

Ai u paraqit para Dhomave të Specializuara më 9 nëntor, dhe për dallim nga Thaçi dhe Veseli, përveç se u deklarua i pafajshëm për aktakuzën, ai mbajti edhe një fjalim.

Ish-kryeparlamentari, Jakup Krasniqi, para Dhomave të Specializuara u paraqit më 9 nëntor, ku u deklarua i pafajshëm, por edhe mbajti edhe një fjalim.

E deputeti Rexhep Selimi, më 4 nëntor 2020 njoftoi se kishte marrë konfirmin për aktakuzë dhe se ishte nisur drejt Hagës.

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber.

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS.

08:55 – Në Hagë do të protestohet kundër gjykimit të Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit (VIDEO)

Nga ora 10:00 në Hagë pritet të nis protesta kundër gjykimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Shumë bashkatdhetarë nga e gjithë Evropa kanë udhëtuar drejt Holandës për të marrë pjesë në këtë protestë.

Sot, do të nis gjykimi ndaj ish-eprorëve të lartë të UÇK-së.

Derisa gjatë së dielës në Prishtinë u mbajt Marshi për Drejtësi, në mbështetje të tyre.

Aty morën pjesë mijëra vetë/ Klankosova.tv

_________________________________________________________________________________________________

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, nga sot më (3 prill), do t’i dëgjojnë akuzat për krime lufte që rëndojnë mbi ta, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Në këtë formë do të nis zyrtarisht gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare, të cilët qe dy vjet e gjysmë gjenden në paraburgim në Hagë të Holandës.

Në komunikatën me sqarime për seancën e parë, Gjykata Speciale tregoi se për prokurorët kanë ndarë 5 orë.

Pas kësaj, 45 minuta i janë ndarë mbrojtësit të viktimave. Këtu edhe do të përfundojë dita e parë e gjykimit. Kurse të nesërmen do të deklarohet secili prej katër ekipeve të mbrojtjes së Thaçit e të tjerëve.

Plani i Speciales është që paraqitja e provave dhe thirrja e dëshmitarëve në gjykatore të ndodh tek një javë më vonë, më 11 prill.

140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.

Derisa një ditë para nisjes së gjykimit ndaj Thaçit dhe të tjerëve, Dhomat e Specializuara të Hagës e kanë lëshuar një komunikatë për media lidhur me procesin gjyqësor.

Në komunikatë thuhet se është planifikuar që deklaratat hyrëse për rastin në fjalë të mbahen më 3, 4 dhe 5 prill, duke filluar prej orës 9:00 të mëngjesit.

“Duke filluar më 3 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) do të bëjë deklaratën hyrëse dhe për këtë qëllim i janë caktuar më së shumti 5 orë. Më tej, është planifikuar që mbrojtësi i viktimave do të bëjë deklaratën e tij hyrëse që do të zgjasë më së shumti 45 minuta. Pas mbrojtësit të viktimave, do të bëjnë deklarata hyrëse secili prej katër ekipeve të Mbrojtjes. Është planifikuar që këto deklarata të bëhen më 4 prill”.

Pos tjera, në njoftim thuhet: “140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor. Personat të cilët demonstrojnë se kanë pësuar dëm fizik, mendor ose material si pasojë e drejtpërdrejtë e një krimi të paraqitur në Aktakuzën e Konfirmuar paraqesin kërkesë për të marrë pjesë në procesin gjyqësor në DHSK. Këtu përfshihen persona që janë dëmtuar drejtpërsëdrejti dhe persona të cilët kanë pësuar dëm si pasojë e lidhjes së ngushtë me një viktimë të drejtpërdrejtë që pretendohet se është vrarë ose lënduar”.

Trupi Gjykues ka bërë të ditur se paraqitja e provave në gjykim, duke përfshirë edhe thirrjen e dëshmitarëve nga ZPS-ja, do të fillojë më 11 prill 2023.

Aktakuza e ZPS-së, e ngritur më 30 shtator të vitit 2022, i ngarkon Thaçin, Krasniqin, Veselin e Selimin me akuzat për ndërmarrje të përbashkët kriminele, vepër kjo që, sipas prokurorisë, e kishte “qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën, nëpërmjet metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë”, në periudhën midis marsit të vitit 1998 e shtatorit të vitit 1999, në vende të ndryshme të Kosovës.