Neziri: “Grupi i Zjarrit” drjet lëvizjes së re politike?

Telenovela e BDI-së mes “Grupit të Zjarrit” dhe Ali Ahmetit duket se ka përfunduar me 1 Prill. Edhe pse asnjëra palë nuk mori guximin të shprehet troç për vendimet, në opinion shihet se rrugët e tyre kanë marrë fund.


“Grupi i Zjarrit” pas përfundimit të mbledhjes me Ali Ahmetin u shprehën se në të ardhmen do të funksionojnë si fraksion brenda BDI-së, ndërsa lideri Ali Ahmeti u shpreh se fraksioni në BDI nuk është i lejuar me statut.
Analisti Xhelal Neziri për TS thotë se është pritur se dy grupet një ditë do të ndahen. Sipas Nezirit “Grupi i Zjarrit” presin që Ali Ahmeti ti largojë nga BDI-ja që më pas të arsyetohen për formimin e një lëvizje të re politike.

Që nga momenti kur nisën takimet paralele me qytetarët u pa se do të vijë momenti kur rrugët midis dy grupeve në BDI do të ndahen. Që atëherë kemi lëvizje taktike në të dyja taborët, të cilat kanë për qëllim paraqitjen e tjetrit si fajtor për atë ndarje. Grupi i Zjarrit nuk besoj se do të largohet nga BDI. Ata mendoj që presin të përjashtohen nga Këshilli i Përgjithshëm që më pas të kenë bazë që të arsyetojnë formimin e një lëvizjeje të re politike” thotë Neziri për TS.

Sa i përket funksionimit të Grupit të Zjarrit si fraksion brenda BDI-së, Neziri thotë se me statut nuk lejohet andaj edhe formimi i fraksionit është një hap drejt lëvizjes së re politike.

Fraksioni nuk është i lejuar me Statutin e BDI-së, andaj formimi i tij është edhe në kundërshtim me atë dokument. Por formimi i fraksionit do të jetë një hap më para drejt lëvizjes së re politike si formacion i mëvetëm“, shprehet Neziri.

Nga ana tjetër në mbledhjen fundit të BDI-së me shumicë votash Kryesia ka miratuar raportin dhe punën e ministrave të BDI-së.

”Pasi u dëgjua raporti nga përfaqësuesit në ekzekutiv u hap çështja për diskutim. Pasi u dëgjuan të gjitha palët, u shterën diskutimet, e kam hedhur raportin në votim. Në votim 26 kanë votuar “për” raportin, 6 kanë votuar “kundër” raportit dhe 3 abstenime”, tha lideri i BDI-së Ali Ahmeti pas përfundimit të mbledhjes që zgjati pesë orë.

Në fund lideri i BDI-së Ali Ahmeti u shpreh se këto janë përpjekjet e fundit që bëhen për ta varrosur dhe dëmtuar Bashkimin Demokratik për Integrim.

20 vite me radhë ka tendenca për ta varrosur BDI-në. Këto janë përpjekjet e fundit që bëhen për të dëmtuar BDI-në”, tha mes tjerash Ahmeti pas përfundimit të mbledhjes me kryesinë e partisë.

Ndryshe kongresi i BDI-së do të mbahet në shtator të këtij viti, ku lideri i BDI-së Ali Ahmeti ka shprehur interesim që edhe katër vite të jetë udhëheqës i partisë më të madhe shqiptare në Maqedoninë e Veriut (BDI)./TS/