Kryetari i Komunës së Haraçinës, Ridvan Ibrahimi, fajin për raportin negativ të Entit Shtetëror për Revizion (ESHR) ia ka adresuar drejtuesve të mëparshëm të komunës, kur pushteti lokal në Haraçinë udhëhiqej nga LSDM-ja dhe kryetarja Milikije Halimit. Ai ka thënë se për mospagesën e tatimit në pronë nuk duhet fajësuar banorët sepse ka pasur edhe qytetarë të tillë që kanë dalë vullnetarë për të paguar, shkruan PRESSonline.al


“Pesëmbëdhjetë për qind e qytetarëve kanë ardhur vullnetarisht dhe kanë paguar tatimin në pronë”, tha Ibrahimi.

Ish-kryetarja e komunës së Haraçinës, Milikije Halimi, i mohon këto akuza në një deklaratë për portalin “Lokalno”. Ajo thotë se “nuk është e vërtetë se nuk janë mbledhur taksa”.

“Taksat për blerjen e shtëpive apo tokave janë paguar gjithmonë përveç tatimit në pronë, por janë paguar taksa të tjera”, thotë ajo.

Buxheti i komunës, sipas saj, është vetëm nga taksa e qytetarëve dhe TVSH-ja që barten çdo muaj nga ministria e Financave.

“Nuk mund t’i bëjmë qytetarët të paguajnë taksa kur 90% nuk i kanë legalizuar objektet. Si do t’u vendosim taksë kur nuk kanë pronën e tyre me dokument pronësie? Kam pasur konsultime me këshilltarët e mi dhe kam punuar, por fillimisht kam dashur që të legalizojnë shtëpitë dhe më pas të lëshojmë zgjidhje për tatim në pronë”, ka deklaruar ish-kryetari i Komunës së Haraçinës për “Lokalno”, përcjell PRESSonline.al

Paraprakisht, auditorët shtetërorë kanë konstatuar se Komuna e Haraçinës nuk mban regjistër të patundshmërive, nuk nxjerr vendime për tatimin në pronë, nuk ka të hyra në bazë të tatimit etj. Gjithashtu janë konstatuar një sërë dobësish në përllogaritjen e pagave dhe shtesave të këshilltarëve dhe punonjësve të përkohshëm, si dhe nuk justifikohen shpenzimet për karburantin e shpenzuar, shërbimin e automjeteve dhe mirëmbajtjen dimërore të rrugëve dhe rrugëve lokale. Në vitin 2021, komuna e Haraçinës ka shpenzuar mbi 10 mijë euro nëpër restorante.