Kurti: Krimet e Serbisë në Kosovë nuk mund të harrohen

Kryeministri Albin Kurti e ka përkujtuar masakrën në të cilën para 24 vjetësh në Gjakovë u vranë mbi 60 civilë shqiptarë.


“Kufomat në shtëpinë e Vejsave ishin krejt të karbonizuara. Unë shkova të merrja batanije në spital, por ata nuk kishin më shumë se një copë. Nëntëmbëdhjetë trupa të karbonizuar u mbështollën me një batanije. U varrosën në tre varre, citohet një dëshmitar nga Human Rights Watch”, ka shkruar Kurti.

“Në natën mes 1 dhe 2 prillit 1999, në Lagjen e parë në Gjakovë, forcat serbe masakruan e vranë mbi 60 civilë shqiptarë. Në shtëpitë e tyre, i dogjën të gjallë e të vdekur anëtarët e familjeve Vejsa, Hoxha, Haxhiavdija, Caka, Gashi dhe Nuçi. Mosha e të vrarëve ishte nga 2 deri në 75 vjeç”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti tha se krimet e Serbisë në Kosovë nuk mund të zhduken e as të harrohen.

“Krimet e luftës, gjenocidi e krimet kundër njerëzimit nuk janë të kaluara derisa dikush nuk merr përgjegjësi e denim për to. Krimet e Serbisë në Kosovë nuk mund të zhduken e as të harrohen. Ne i përkujtojmë në secilin përvjetor për të mos i harruar kurrë. Sot përkujtojmë të vrarët në Gjakovë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për ta”, ka thënë Kurti.