Për herë të parë në Maqdoninë e Veriut është formuar një trup administrativ ndërkomunal, i cili bashkërisht do të përballet me menaxhim me ujërat, rreziqet nga përmbytjet dhe llojet tjera të fatkeqësive natyrore. Marrëveshja për themelimin e organit të përbashkët e nënshkruan kryetarët e komunave dhe përfaqësues të tyre nga komunat nga Rajoni i Pollogut, gjashtë nga rajoni i Tetovës dhe tre nga rajoni i Gostivarit .


Ky aktivitet është në kuadër të projektit “përmirësim i rezistencës drejt përmbytjeve në Rajonin e Pollogut”; i financuar nga Qeveria zvicerane, i zbatuar nga Programi për zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UND) në partneritet me Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimin Hapësinor.

Një përfaqësues i Ambasadës së Zvicrës theksoi se, duke pasur parasysh se në të kaluarën përmbytjet në rajonin e Polloogut morën jetë njerëzish dhe dëme materiale, duke njohur rëndësinë e ndërtimit të rezistencës ndaj përmbytjeve në këtë rajon, vendi i tyre po investon mbi 12 milionë franga zvicerane në reduktimin e rreziqeve të përmbytjeve dhe përmirësimi i rezistencës, të cilat do të kontribuojnë në qëndrueshmërinë dhe zhvillimin gjithëpërfshirës në një afat më të gjatë.

“Një nga mënyrat më të rëndësishme për përmirësimin e qëndrueshmërisë është ndërtimi i bashkëpunimit ndërkomunal në drejtim të forcimit të kapaciteteve dhe forcimit të bashkëpunimit dhe partneritetit. Për shkak se përmbytjet nuk ndalojnë në kufirin e një komune, koordinimi efektiv i institucioneve kompetente, sektorit civil, sektorit privat dhe mediave në nivel lokal, rajonal dhe kombëtar është i një rëndësie vendimtare për të përballuar rreziqet që lidhen me ndryshimet klimatike dhe për të reduktuar fatkeqësitë e shkaktuara nga përmbytjet”, kumtoi Ambasada e Zvicrës.

Krijimi i një organi të përbashkët ndërkomunal që do të merret me rreziqet nga përmbytjet në mënyrë të integruar me administrim të përbashkët është hera e parë në vend.

“Kjo do të thotë se palët e prekura, qofshin ato komuna, ndërmarrje publike, ose institucione tjera rajonale apo shtetërore, është e nevojshme që maksimalisht të fokusohet në bashkëpunimin e ndërsjellë”, tha Ylber Mirta.

Organi administrativ paraprakisht është miratuar nga këshillat e të nëntë komunave të rajonit, Tetovës, Gostivarit, Bogovinës, Tearcës, Vrapçishtit, Bërvenicës, Zhelinës, Jegunovcit dhe Mavrovës-Rostushës. Selia e trupit do të jetë në Tetovë.