Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së tha se ashtu si ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, që foli në serbisht, edhe kjo ka kërkuar që të flasë në shqip.


Por, sipas Gërvallës, një gjë e tillë i është mohuar, teksa fjalimin e ka vazhduar në gjuhën angleze.

“Daçiq foli me gjuhë të popullit të vet, e jo në gjuhën angleze, siç bëjnë të gjithë. Edhe unë dua të flas në gjuhën shqipe, që është gjuha e popullit shumicë në Kosovë, por më është mohuar kjo e drejtë”, tha Gërvalla, njofton Klankosova.tv.

Ajo foli edhe për raportin e UNMIK-ut, ku tha se vetë UNMIK-u s’po i kontribuon paqes.

“Në raportin e UNIMK-ut, Samiti i Berlinit përmendet veç si fusnotë. As samiti i mbajtur në Berlin në nëntor të vitit 2022, as samiti i parë i mbajtur në histori të Ballkanit në Tiranë nuk përmenden në raport”, tha Gërvalla.

Ajo përmendi marrëveshjet që kanë dalë nga Procesi i Berlinit, teksa shtoi se Serbia veç e ka bllokuar procesin dhe se Serbia e ka në ADN politike që të mos e mbaj fjalën.

“Është një fakt i njohur ndërkombëtarë se kur Kosova premton diçka, e mban fjalën. Nuk jemi zmbrapsur asnjëherë nga asnjë marrëveshje e nënshkruar por kjo nuk vlen për Vuçiqin, Daçiqin e kolegët e tyre”.

“ADN-ja politike e tyre e bën të pamundur që ta mbajnë fjalën. Në qoftë se nënshkrimet nuk mbahen, atëherë marrëveshjet bëhen një farsë dhe kjo tregon mosrespekt për krejt komunitetin diplomatik”, tha Gërvalla.

Ministrja e Jashtme më tej tha se ka zëra nga Holanda e Gjermania që po thërrasin për sanksione ndaj Serbisë, pasi sipas saj, “nuk negociohet me mashtrues, por mashtruesit duhet të përballen me pasoja”.

“Integrimi evropian do të vazhdojë edhe pa Serbinë dhe kjo nuk vlen vetëm për Procesin e Berlinit por edhe për projektet e BE-së për tregun e përbashkët regjional që promovon integrimin në tregun evropian dhe kjo ka për qëllim që të promovojë edhe dialogun mes Kosovës e Serbisë, por Serbia ka anashkaluar marrëveshjet e nënshkruara në vitin 2011, 2013 dhe ato të vitit 2015. Vuçiqi dhe Daçiqi janë fajtorët kryesorë për këtë shkelje të kontratës”, tha Gërvalla