Në Gjykatën Penale të Shkupit, nisi seanca gjyqësore për rastin e i ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Muhamed Zeqiri, i cili akuzohet për “keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar”. Zëvendës kryeministri Fatmir Bytyqi, ministri i transportit dhe lidhjeve Bllagoj Boçvarski dhe ish drejtori i Postës ishin deshmitarë të sotëm të mbrojtjes, njofton Portalb.mk.


Në seancën paraprake, gjykimi nisi nga fillimi, pasi kanë kaluar 90 ditë prej seancës së fundit kur është mbajtur.

Seanca gjyqësore për Muhamed Zekirin, foto: Suad BajramiSeanca gjyqësore për Muhamed Zekirin, foto: Suad Bajrami

Prokuroria e akuzon Zeqirin se në periudhën nga prilli i vitit 2021 deri në janar të vitit 2022, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë, pa kryer prokurim publik, ka lidhur kontrata për shërbime konsulence me një kompani me vlerë totale prej gati një milion euro, gjegjësisht janë paguar 147.000 euro më shumë se 795.000 të rënë dakord paraprakisht.

Ai po ndiqet penalisht për lidhjen e dy kontratave private për shërbime konsulente – njëra për përcaktimin e modelit për ristrukturimin e Sh.A. “Posta” dhe kontrata e dytë për shërbime konsulente për mbështetjen e procesit për privatizimin e mundshëm të “Hekurudhave”.

Prokurorja Katerina Kolareviq konsideron se në procesin gjyqësor do të mund të dëshmojë se ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë ka keqpërdorur pozitën dhe kompetencat e tij zyrtare dhe është e bindur se është dashur të shpallë tenderë, ndërsa Zeqiri tha se nuk ndihet fajtor dhe beson se nuk ka bërë shkelje të Ligjit për furnizime publike.

Zeqirit më 9 prill të vitit të kaluar i ishte caktuar masa e paraburgimit, e cila në qershor të këtij viti për shkaqe shëndetësore iu zëvendësua me arrest shtëpiak.

Gjyqi drejtohet nga gjyqtarja Fanka Jançuleva Mihailovska.