Debat i ashpër është zhvilluar sot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në lidhje me temën e realizimit të projektit më të madh infrastrukturor, Korridorit 8 dhe nënshkrimit të kontratës me konzorciumin e mirënjohur ndërkombëtar, Bechtel Enka, raporton bild.mk.


Subjekti opozitar maqedonas me pretendime tendencioze të pabazuara me asnjë argument nuk ndalet me tentativat për nxirjen e këtij projekti, në çdo prononcim para mediave të anëtarëve të saj, në çdo komunikatë dhe në çdo fjalim para opinionit.

Sot, ishin deputetët e VMRO-së që në seancën për pyetje deputetësh, në mënyrë skandaloze, morrën rolin e Prokurorisë dhe Gjykatës.

Deputeti Bojan Stojanovski ka kërcënuar Zëvendëskryeministrin e parë, Artan Grubi duke i thënë se do të jetë ai i pari që do të përfundojë në burg për realizimin e këtij projekti.

“Për të gjitha pyetjet e tjera, do të të them një gjë, ti do të jesh i pari i cili do të shkojë në burg pasi arushat e bardha të mbrojtura nga grupi yt kriminel do të thirren për të mbajtur përgjegjësi”, iu drejtua Grubi deputeti Stojanovski nga rradhët e VMRO DPMNE-së.

Zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi në çdo paraqitje të tij para opinionit ka rrëzuar poshtë pretendimet tendencioze dhe të pabaza të VMRO-së lidhur me përmbajtjen e kontratës për Korridorin 8. Ai ka bërë hapur thirrje që për të gjitha akuzat e plasuara në opinion të hulumtojnë organet kompetente të hetuesisë së shtetit.

Procedura për realizimin e projektit më të rëndësishëm infrastrukturor për zhvillimin e vendit dhe të mbarë rajonit ka qenë transparente nga fillimi i saj, ka potencuar Grubi, nga opinioni nuk është mbajtur asgjë e fshehtë, në të njejtën mënyrë do të informohet opinioni për të gjitha pagesat e bëra ndaj Bechtel & Enka dhe se penalitetet e pretenduara të VMRO-së nuk ekzistojnë.