Cinizmi i skajshëm i SDSM-së ndaj “20%”- shit!

Në arenën politike të ‘drzhavës Severna’ tashmë janë shënjuar konturet e politikbërjes dhe qëndrimeve politike të njërit bllok sllavo-maqedon në pushtet siç është SDSM-ja, ku po ravijëzohet qartë linja e saj titiste si pasardhëse e LKM-së të Kiro Gligorovit, të cilët nuk kanë ndryshuar qëndrim e as pozicion, por përkundrazi njëlloj si paraardhësja e saj Lidhja Komuniste, mohojnë dhe refuzojnë të njohin barazinë e gjuhës shqipe dhe të statutit të shqiptarëve të barabartë me sllavo-maqedonët.


Prononcimet e fundit të SDSM-së si kundërpërgjigje ndaj disa zërave të humbur të xhonturqëve të Besës dhe demagogëve aleancistë, ku ata kanë thënë sa për sy e faqe para opinionit publik shqiptar se do të propozojnë heqjen e 20% nga kushtetuta duke e zëvendësuarat me gjuhë shqipe, një taktizim joserioz dhe jo i besueshëm se gjoja kanë lënë SDSM-në gojëhapur dhe të pakënaqur, pasi ajo i sheh këto propozime si kushte dhe shantazh ndaj qeverisë së premierit Dhimo Kovaçi.

Qëndrimi kundër i SDSM-së ndaj fshirjes së njollës së turpit për shqiptarët si 20% është një qëndrim i maskuar dhe taktizues, që do të thotë se ata nuk do ta shlyejnë nga kushtetuta atë amandament që përdhos dhe mohon identitetin shqiptar, sepse brenda udhëheqjes së tyre ka akoma megalomanë që vuajnë nga urrejtja dhe nacionalshovinizmi i mbjellur dhe i trashëguar prej dekadash nga ish mentorët e propagandës jugosllave kundër shqiptarëve që arriti kulmin në vitet tetëdhjeta.

Socialdemokratët dhe titistët të rinj edhe sot e kësaj dite nuk janë distancuar nga gjëmat dhe krimet e paraardhësve të tyre (gjatë diktaturës komuniste jugosllave të regjimit titist) për më shumë se gjysmë shekulli ndaj shqiptarëve, por vazhdojnë të heshtin sikur s’ka ndodhur asgjë kundër një populli vetëm se nuk fliste sllavishten e tyre por një gjuhë tjetër.

Udhëheqësit e SDSM-së janë prononcuar ditëve të fundit se nuk është koha dhe momenti për ta zëvendësuar 20% me ndonjë zgjidhje tjetër.
Kjo shmangie nga fshirja e 20% me pretekstin e prioritetit të eurointegrimeve, socialdemokratët dhe integristët së bashku me aleancistët e ardhur rishëm në koalicionin qeveritar, i bënë përgjegjës ata para veprës së turpit ndaj shqiptarëve, me mbajtjen në kushtetutë të amandamentit skandaloz si gjuhë pa identitet dhe pa emër!

Nga ana tjetër kemi komitët e VMRO-së si parti e së djathtës nacionaliste të cilët nuk kanë qëdrim më të mirë se kundërshtarët e tyre politik si SDSM-ja ndaj gjuhës shqipe dhe statusit politik të shqiptarëve, por gjithsesi janë brenda atyre parametrave që sanksionojnë shqiptarët si pakica të papërfillshme ‘para kombit’ sllavo-maqedon.

Rasti i fundit i shfaqjes së mosdurimit dhe shprehjes së shovinizmit sllav ndaj shqiptarëve ka ndodhur në një shkollë të komunës së Çashkës, ku bordi i shkollës dhe këshilli i prindërve nuk kanë pranuar të hapet paralele në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë, përkundër të drejtës kushtetuese për të mësuar secili komunitet në gjuhën e tij amëtare.

Çuditërisht, në vendin që kërkon të integrohet në BE po përsëriten raste të mosdurimit nacional dhe të shovinizmit të hapur si shfaqje të pështira të një kohe të perënduar ndaj shqiptarëve, si masa mbrojtëse të kampit tjetër përmes ushtrimit të ‘supremacisë së fituar si peshqesh’ nga koha e vetëqeverisjes jugosllave dhe nga idoli i shpirtëror ‘druzhe Tito’.

Mjerisht, edhe sot atë mentalitet të kalbur dhe anakronik e hasim nëpër disa vendbanime shqiptare i shfaqur te një pjesë e shqiptarëve të trullosur përmes admirimit dhe respektit për njerkën dhe ‘drzhavën që na do dhe na respekton’, sipas parimit shteti duhet dhe respektohet edhe kur ai të torturon dhe të vret.

Kësisoj, kjo kategori shqiptarësh zemërgjerë shfaqin keqardhje për atë ‘grup grindavecësh si puna ime’ që kritikon dhe shanë ‘drzhavën’ e tyre, për veprimet dhe fushatat e ndërmarra persekutuese ndaj shqiptarëve ndër vite.
Këtë lloj specie në zhdukje ndër shqiptarët e gjejmë si menaxhues çajtoresh dhe dyqanesh, në administratë dhe si punëtorë krahu gjithandej në mbarë ‘Severnën’ e tyre të dashur.

Ndaj, shqiptarët e ‘Severnës’ të mos ushqejnë më iluzion se kjo klasë politike do ta ndryshojë statusin politik të shqiptarëve dhe rikthimin e dinjitetit e përdhosur me fshirjen e 20% nga kushtetuta, pasi ata kanë qënë të vetëdijshëm kur e kanë votuar dhe miratuar një amandament që përdhos identitetin kombëtar dhe gjhuhësor të shqiptarëve këtu.
Sofizmat e intrigantëve tanë të subjekteve politike se njëherë tjetër kur do të vij rasti ata do ta fshijnë njëherë e përgjithmonë njollën e zezë nga kushtetuta, janë pjesë e demagogjisë për injorancën shqiptare dhe për militantët e tyre të verbuar.

Pra, ata partiçkat tona, që në fakt nuk janë tonat por të pushtetit, të cilat ky pushtet që nga themelimi i ka mbajtur afër dhe i ka ‘ushqyer’ me pekuli, para se ta miratojnë kushtetutën e njëanëshme të ‘Severnës’ kanë bërë ‘një betim’, se nuk do të kërkojnë apo nuk do të parashtrojnë asnjë kusht qeverisë së koalicionit dhe parlamentit për barazinë dhe statusin e shqiptarëve me sllavo-maqedonët, as sot dhe as në të ardhmen e largët!

Servilizmin e paparë dhe lojalitetin e partiçkave shqiptare si ‘shfalerka’ të përjetëshme ata e kanë dëshmuar denjësisht që nga MO dhe deri me ndryshimet e fundit kushtetuese të vitit 2019, ku gjuha shqipe u varros për së gjalli me një amandament të sajuar antishqiptar si gjuhë e shifrave dhe jo me emrin e saj të vërtet historik sa vetë historia e këtyre trojeve të lashta, si gjuha shqipe.

Mbase një ditë, vjen një forcë politike me taban kombëtar dhe rrëzon nga froni puthadorët dhe lavjerrësit e sotëm të pushtetit dhe sjell pranverën e re shqiptare!

Medai Shaholli