Një kameriere është shkarkuar nga puna në një restorant në Japoni pasi dyshohet se ka bërë kokteje me gjakun e saj. Siç është bërë e ditur në shtyp, kamerierja në fjalë ka derdhur gjakun e saj në kokteje me kërkesë të klientëve, ndërsa veprimet e saj janë regjistruar nga kamerat e restorantit.


Mondaiji Con Cafe Daku ndodhet në rrethin Susukino në ishullin e dytë më të madh të Japonisë dhe postoi lajmin shqetësues në fillim të këtij muaji. Menaxhmenti i restorantit kërkoi falje publike, duke i cilësuar veprimet e kamerieres “absolutisht të papranueshme”.

Punonjësja e paidentifikuar thuhet se vuri gjakun e saj në menunë kryesore, e cila quhej orikaku, dhe zakonisht bëhet me fruta ose shurupe.

Menaxhmenti i restorantit i krahasoi veprimet e saj me “terrorizëm okupues”, ndërsa mbylli biznesin për një ditë për të zëvendësuar të gjitha gotat e kontaminuara dhe për të asgjësuar çdo shishe alkooli të kontaminuar.

“Ne do të punësojmë një punonjës të specializuar për të pastruar restorantin, për të ndryshuar gotat dhe për të hedhur alkoolin që mund të jetë i ndotur,” njoftoi biznesi në një përpjekje për të qetësuar klientët.

Sakaq, pronari i restorantit kërkoi faljen e tij më 2 prill, duke shkruar: “Edhe një herë, më vjen shumë keq që ju shkaktova telashe”.

Pirja e gjakut të njerëzve të tjerë është një akt jashtëzakonisht i rrezikshëm dhe mjekët që morën qëndrim për incidentin e rëndë në Japoni paralajmëruan se kushdo që vizitoi restorantin duhet të vizitojë mjekun e tij dhe të bëjë një analizë gjaku./abcnews.al