Shkup, 27 prill – Më lejoni së pari të shpreh kënaqësinë time që sot kam mundësi t’ju dëshiroj mirëseardhje në pritjen e Presidentes së Republikës së Kosovës në Institutin tonë. Fort e nderuara Presidente, duket si ëndërr, por është realitet. Para një çerekshekulli në këtë objekt vinte shpesh Presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova, sepse këtu ishte e vendosur Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe ky ishte vendi prej ku atëbotë frymëzohej liria e Kosovës. Po ashtu, është ky objekti që para 24 vjetëve u dogj nga disa grupe të frustruara antiamerikane, pikërisht atëherë kur Aleanca Veriatlantike, e prirë nga SHBA-ja, vendosi ta ndalë me forcë spastrimin etnik të Kosovës dhe t’i japë ngjyrë tjetër paqes së shekullit tonë të ri. Dhe, sot, në këtë objekt është Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, si kujdestari institucional i trashëgimisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, dhe këtu sot po qëndron në vizitë vetë Presidentja e Kosovës, që tash e 15 vjet është shtet i pavarur, vend i mik i shtetit tonë dhe partner strategjik i yni dhe i botës së qytetëruar perëndimore.


Të dashur të pranishëm, do të më lejoni këtu të shpjegoj se po kaq e rëndësishme sa simbolika e këtij objekti është edhe roli që ka ky institut në orientimin strategjik të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, por – pa e tepruar – edhe në orientimin e vetë shtetit. Ndonëse një institut shkencor gati moshatar me shtetin e ri të Kosovës, unë mund t’ju them me kënaqësi që për kaq kohë të shkurtër, përveç qindra botimeve dhe aktiviteteve hulumtuese e shkencore, ne e kemi profiluar edhe orientimin e kombit shqiptar në vendin tonë.

Përveç fushave tradicionale albanologjike, siç janë gjuha dhe letërsia shqiptare ose edhe historia dhe etnologjia, ky është instituti i vetëm në rajon që ka departament të ballkanologjisë, i cili çdo vit organizon edhe një konferencë ndërkombëtare shkencore, gjë që përbën veçantinë e papërsëritshme të institucioneve shkencore e arsimore të vendit tonë. Përveç tyre, ne jemi instituti i vetëm në Evropën Juglindore, por mbase edhe më gjerë, që kemi departament të veçantë për studimin dhe hulumtimin e Holokaustit, që jo vetëm neve, por edhe kombit tonë dhe vendit tonë, në përgjithësi, i ka krijuar pasqyrë tjetër në sytë e botës. Ndërkaq në planin kombëtar, duke qenë në Shkup, Instituti ynë ka edhe një departament për nobelisten e qytetit tonë, Gonxhe Bojaxhiun, që bota e njeh si Nëna Tereze.

Duke e kthyer në atdheun e saj etnik dhe gjeografik, ne praktikisht kemi bërë rinjohjen e periferisë që e lindi këtë personalitet me përmasa globale. Madje, përtej kësaj, në frymë të idealit human të Nënës Tereze, edhe vizioni ynë është i përtejshëm – ne synojmë dhe besojmë në ndërtimin e botës shqiptare, që nënkupton një standard tjetër të komunikimit me botën e qytetëruar, kësaj radhe përmes kulturës, shkencës, por edhe dashurisë dhe dëshirës për bashkëjetesë me tjetrin, ashtu siç porosiste vetë Nëna Shqiptare e Shkupit. Prandaj në gjirin tonë të edukuar me diversitet kanë gjetur vend edhe katolikët shqiptarë, edhe protestantët shqiptarë, edhe si ortodoksët shqiptarë, si edhe mërgata jonë, kjo e fundit duke u trajtësuar në një departament të posaçëm.

Së fundi, me krijimin e qendrave rajonale, ne shumë shpejt do të kemi disa pika të trashëgimisë gati në gjithë gjeografinë shqiptare të shtetit tonë, duke filluar nga Manastiri i Qiriazëve, te Struga Dervish Himës, Kërçova e Nënës Shqiptare, Dibra e Josif Bagerit, Pollogu i Mehmet Pashë Derallës, për të përfunduar në Kumanovën e Jashar Erebarës.

Të dashur të pranishëm, e nderuara Presidente, më lejoni t’ju njoftoj se, si bërthama e tretë e kombit tonë në Ballkanin Perëndimor, me po kaq devocion e kemi marrë edhe mbështetjen që ka nevojë ta ndjejë Kosova nga ne. Ishim nismëtarë për themelimin e Qendrës Përkujtimore “Bllaca 99”, një projekt që pret të fuqizohet dhe institucionalizohet, ndërsa këtë vit – bashkë me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Shkup – për herë të parë në vendin tonë dhe në mënyrë institucionale e organizuam një akademi për Epopenë e UÇK-së. Edhe pse janë gjëra modeste nga ne, këto janë shtigjet në të cilat është orientuar jo vetëm ky institucion hulumtues shkencor, por kjo është edhe rruga në të cilën ne synojmë ta orientojmë edhe kombin tonë. Ndërkaq, duke jetuar në një shtet me shoqëri multientike, ne gjithnjë kemi shfaqur gatishmëri dhe prirje për bashkëpunim me të gjithë, që ky të jetë edhe vizioni i Republikës së Maqedonisë së Veriut, që bashkë me Kosovën dhe shtetet e tjera të rajonit të jenë të orientuara drejt botës ku gara zhvillohet mbi vlera dhe standarde që nënkuptojnë demokraci, tolerancë, mirëkuptim dhe bashkëpunim. Atje ku lindte dielli i Naim Frashërit – në Perëndimin euroamerikan.

Presidente e nderuar, në emrin tim dhe të kolegëve të mi unë dua edhe njëherë t’ju falënderoj për këtë vizitë dhe për këtë nderim që na e bëni, ndërsa mbetem me shpresë se kjo do të jetë vetëm vizita juaj e parë tek ne. Ju faleminderit!

Dr. Skender Asani, drejtor i ITSHKSH-së