Neutraliteti zviceran është më i rëndësishëm se kurrë, tha presidenti Alain Berset në një intervistë të botuar të dielën, duke mbrojtur vendimin e diskutueshëm për ndalimin e transferimit të armëve të prodhimit zviceran në Ukrainë.


“Armët zvicerane nuk duhet të përdoren në luftëra”, tha ai për revistën e përjavshme NZZ am Sonntag.

Tradita e gjatë e neutralitetit është debatuar ashpër që prej sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës në shkurt 2022.

Vendi i pasur alpin, i cili nuk është anëtar i Bashkimit Evropian, ka ndjekur shembullin e bllokut për sanksionet ndaj Moskës, por deri më tani ka treguar pak fleksibilitet për neutralitetin e tij ushtarak.

Pavarësisht presionit nga Kievi dhe aleatët e saj, Zvicra nuk ka lejuar që vendet që kanë armë të prodhimit gjerman t’i rieksportojnë ato në Ukrainë.

Deri më sot, kërkesat nga Gjermania, Spanja dhe Danimarka janë refuzuar sipas Ligjit të Materialeve të Luftës, i cili ndalon të gjitha rieksportimet nëse vendi marrës është në një konflikt të armatosur ndërkombëtar.

Zoti Berset i tha NZZ-së se politika bazohej në “angazhimin për paqen, për të drejtën humanitare, për ndërmjetësimin aty ku ishte e mundur”.

Roli i Zvicrës si selia e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe Konventave të Gjenevës, si dhe e selisë evropiane të Kombeve të Bashkuara “pasqyrohet në ligjet tona, përfshirë ato që lidhen me eksportin e armëve”, tha ai.

Mbrojtja e ligjit humanitar dhe të të drejtave të njeriut dhe Konventat e Gjenevës “mund të tingëllojë si diçka e të kaluarës për disa, por është më e rëndësishme se kurrë,” tha ai, duke paralajmëruar se do të ishte “jashtëzakonisht e rrezikshme që këto parime themelore të liheshin mënjanë”.

Ai tha se besonte se negociatat me Rusinë ishin të nevojshme për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. “Sa më shpejt aq më mirë”, tha ai.

Disa nisma po ndërmerren në parlament për lehtësimin e rregullave të rieksportimit, për të bërë të mundur transferimin e armëve të prodhimit zviceran nga vendet e treta në Ukrainë.

Por, zoti Berset theksoi se “pozicioni i qeverisë është i qartë. Përkon gjithashtu me pozicionin tim personal. Armët zvicerane nuk duhet të përdoren në luftëra.”

Procesi drejt një vendimi përfundimtar, me debate mes parlamentit dhe qeverisë, i ndjekur nga një referendum i mundshëm nën sistemin e demokracisë së drejtpërdrejtë të Zvicrës, ka të ngjarë të marrë disa muaj kohë.