Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku një vajzë 3-vjeçare qëlloi për vdekje motrën e saj 4-vjeçare me armë zjarri.


Sipas policisë lokale, mësohet se ngjarja ka qenë aksidentale, por e parandalueshme. Gjithçka ka ndodhur gjatë një feste familjare në Hjuston mbrëmjen e së dielës.

Në një moment të caktuar, fëmijët kanë shkuar në njërën prej dhomave të shtëpisë, kanë marrë pushkën dhe kanë nisur të luajnë, pa u vënë re nga prindërit.

Në këtë moment, vajza e vogël e familjes tërheq këmbëzën e armës dhe vret në vend të motrën, ndërsa prindërit e kanë marrë vesh vetëm kur kanë dëgjuar të shtënën dhe janë ngjitur në dhomë, ku gjetën në dysheme të pajetë vajzën e madhe, transmeton a2news.

Vrasjet aksidentale mes fëmijëve janë shtuar shumë së fundmi në Shtetet e Bashkuara, duke ngritur një shqetësim të madh në popullatë në lidhje me lejen e marrjes së armëve dhe mënyrën e mbajtjes së tyre.

Akademia Amerikane e Pediatrisë rekomandon që pronarët e armëve t’i mbajnë armët e tyre të mbyllura dhe të shkarkuara, me municion të mbyllur në një kasafortë të veçantë, që të mos arrihen në asnjë formë nga fëmijët.