Senati francez ka votuar pro rritjes me 2 vjet të moshës së pensionit, duke e çuar në 64 vjet.


I dominuar nga konservatorët, struktura legjislative votoi me 201 vota pro kundrejt 115 kundër në një seancë që ka zgjatur deri në orët e vona të natës.

Lëvizja është pjesë e një reformimi të sistemit francez të pensioneve, pavarësisht opozitës së fuqishme të sindikatave.

Këto të fundit janë zotuar se do të shtojnë presionin ndaj qeverisë duke organizuar protesta dhe greva të mëtejshme.

Të mërkurën, kamionët e shpërndarjes së karburanteve, trenat dhe fluturimet u çoroditën për të dytën ditë rresht si pasojë e manifestimeve masive.

Presidenti Emmanuel Macron e kishte vendosur ndryshimin e moshës së pensionit në qendër të agjendës së tij politike.

Qeveria e tij argumenton se rritja e moshës dhe përforcimi i kritereve për një pension të plotë është jetike për të siguruar që sistemi të mos bjerë ne deficit.

Nga ana tjetër, vendet fqinje të Francës e kanë rritur tashmë moshën e pensionit në 65 vjeç, ose më sipër.