Schinas: Koha për hapjen e klasterëve, të realizohen ndryshimet kushtetuese

Procesi i evropianizimit në Ballkan është i pakthyeshëm, të gjitha vendet e rajonit, përfshirë Maqedoninë e Veriut, janë të vendosur në rrugën drejt BE-së, thotë nënkryetari i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas.


Në një deklaratë, i pyetur e se si të evropianizohet rajoni në të cilin ka shumë çështje të hapura dypalëshe, të cilat nuk janë sipas standardeve evropiane, siç është kontesti mes Sofjes dhe Shkupit, Schinas theksoi se nëse shikoni prapa në histori ka pasur shumë shembuj të ballkanizimit të politikës evropiane.

“Mesazhi im kryesor ishte se kur hedhim një vështrim prapa në histori, shumë herë kemi parë ballkanizim të politikës evropiane. Ne e dimë se çfarë do të thotë vuajtje, luftëra, ndarje. Por, ajo që nuk kemi parë deri më tani është evropianizimi i rajonit të Ballkanit. Dhe kjo po ndodh tani, vetëm në 20 vitet e fundit, është e re dhe është diçka pozitive, është një hap inkurajues. Shumica e vendeve janë tashmë të vendosur në rrugën e anëtarësimit në BE. Maqedonia e Veriut është një shembull, ku unë mendoj se BE-ja nuk ishte gjithmonë shumë e drejtë, sepse ne kërkuam shumë gjëra të ndryshme dhe ju i dhatë ato. Tani duhet të kalojmë në kapitullin tjetër, që është hapja e negociatave sipas kapitujve dhe mbyllja e këtyre kapitujve, pasi të keni zbatuar ndryshimet kushtetuese për të cilat jeni angazhuar”, thotë Schinas.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.