Mallorca e dënon tifozin që ofendoi në baza racore Viniciusin

Vinicius Junior ka qenë viktimë e abuzimeve të tmerrshme këtë sezon, me rastin e fundit që u raportua se ka ndodhur edhe në “Camp Nou”, në “El Clasicon” e fituar 2:1 nga Barcelona ndaj Real Madridit.


Sulmuesi brazilian është ofenduar në disa raste këtë sezon dhe shumica e tyre ishte në baza racore.

Një nga këto incidente ndodhi gjatë humbjes së Real Madridit ndaj Mallorca në prill.
Një tifoz i Mallorcas u kap nga kamerat duke e quajtur yllin e Real Madridit “majmun”. Ai u akuzua pastaj pas incidentit dhe Viniciusit do t’i kërkohet të dëshmojë në gjyq.

Jashtë procedurave të gjykatës, klubi i Mallorcas ka kryer hetimin e saj dhe Komiteti i Etikës të këtij klubi ka vendosur të ndalojë hyrjen e këtij tifozi në stadium për tre vjet, ka raportuar “Marca”.

Racizmi është një problem në rritje në futbollin spanjoll. Përveç Viniciusit, edhe futbollistë të tjerë janë përballur me raste të tilla.