Beteja për Bakhmut konsiderohet vendimtare për fatin e luftës mes Ukrainës dhe Rusisë. Presidenti Volodymyr Zelensky, paralajmëroi se forcat pushtuese do ta kenë rrugën e lirë për të marrë dhe zona të tjera kyçe nëse rezistenca për këtë qytet në rajonin Donjeck do të bjerë.


Lideri ukrainas siguroi se nuk do të ketë asnjë tërheqje nga kjo betejë e përgjakshme, e cila po zhvillohet prej muajsh në Bakhmut.

“Rusia ka nevojë për një fitore, qoftë edhe të vogël, madje kërkon ta arrijë atë duke shkatërruar gjithçka në Bakhmut dhe vrarë çdo civil atje. Ata kanë nevojë të vendosin flamurin e tyre të vogël në majë për të marrë më shumë mbështetje nga shoqëria e tyre dhe për të krijuar idenë se janë një ushtri e fuqishme. Për ne është shumë ndryshe, nuk është diçka taktike. E kuptojmë se pas Bakhmut, ata mund të avancojnë më tej. Mund të shkojnë në Kramatorks apo Sloviansk”, tha Volodymyr Zelensky, president i Ukrainës.

Kreu i grupit të mercenarëve rusë, Wagner, Yevgeny Prigozhin, njoftoi pushtimin e plotë të pjesës lindore të Bakhmut dhe konfirmoi frikën e autoriteteve të Ukrainës.

“Për momentin, bota nuk e ka parë ende ushtrinë e vërtetë të Rusisë, pasi ka regjimente që nuk janë përdorur ende në betejë, të cilat i kanë të gjitha armatimet e mundshme moderne dhe pajisjet survejuese. Ata janë plotësisht gati dhe po presin momentin e tyre. Koha e tyre do të vijë pasi Wagner të bëjë vend për ta pas Bahmutit. E gjithë bota do të dridhet”, tha Yevgeny Prigozhin, udhëheqës i grupit Wagner.

Sakaq, ushtria e Ukrainës vijon të rrëzojë dronë kamikazë të Rusisë, me dy Shahed iranianë të shkatërruar në veri të vendit. Gjithashtu autoritetet në Kiev lëshuan apelin ndaj ndërkombëtarëve se për të vijuar rezistencën ndaj pushtimit rus, u nevojiten një milion municione.