Prokurorët e Nju Jorkut kanë thirrur ish-presidentin republikan Donald Trump për të dëshmuar para një jurie të madhe për një hetim në lidhje me pagesat e supozuara të parave ndaj një ylli të pornos, një proces që mund të çojë në ngritjen e një padie, sipas mediave amerikane.


New York Times dhe Washington Post raportuan se Trump ishte thirrur për të dëshmuar javën e ardhshme në lidhje me 130,000 dollarët që ai i dha pak përpara zgjedhjeve presidenciale të 2016 aktores së njohur me pseudonimin Stormy Daniels, e cila pretendonte se ishte takuar me manjatin e pasurive të paluajtshme dhe ish-presidentin.

Dy gazetat, duke cituar burime të informuara, thanë se Prokurori i Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, një demokrat që mori detyrën në janar, është përgjegjës për procesin.

Nëse verifikohet ky skenar, Donald Trump do të bëhet ish-presidenti i parë amerikan që do të përballet me akuza penale.

Trump, i cili tashmë ka njoftuar se do të kandidojë për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024, është objektivi i hetimeve të ndryshme federale dhe shtetërore për çështjet që u shpalosën para, gjatë dhe pas presidencës së tij.

Megjithatë, ai nuk është akuzuar për asnjë nga këto në këtë faze. Akuzat penale do të kishin pasoja për kandidimin e tij në zgjedhjet presidenciale.